Luis Enrique drejt Chelsea, PSG mendon për Ancelottin

Sport

Ancelottin87

Lista e kandidatëve për pankinën e PSG sa vjen e zvogëlohet. Që pas eleminimit në Champions League nga Real Madrid, tek parizienët flitet vetëm për zëvendësuesin e Unai Emery në fund të sezonit.
Por siç raporton “Le Parisien”, një nga pretendentët kryesorë për stolin e PSG, Luis Enrique, është i prirur të marrë drejtimin e Chelsea në Angli.
Ish-trajneri i Barcelonës thuhet të ketë arrritur madje edhe një akord provizor me drejtues të “bluve” të Londrës, por deri më tani nuk ka asgjë zyrtare nga ana e të dyja palëve. Kështu, e ardhmja e Antonio Conte do të jetë larg “Stamford Bridge”, por pavarësisht se listohej si ndër më favoritët, për PSG edhe ky mbetet një opsion i veshtirë, pasi 48-vjeçari mendon një rikthim në kombëtaren italiane.
Në kushte të tilla, alternativa më e mirë shihet ajo e Carlo Ancelotti. Tekniku në fakt nuk është një figurë e panjohur në “Parc des Princes”, pasi ka drejtuar PSG nga viti 2011 deri ne 2013-n.
Ancelotti për momentin është pa kontratë, pas shkarkimit nga Bayern Munich dhe mes tij dhe drejtuesve parizienë thuhet të kenë nisur kontaktet e para. Edhe lojtarë si Verrati apo Thiago Silva e kanë pëlqyer idenë e të trajnuarit nga italiani ndërsa pista si Klopp, Simeone apo Allegri duken akoma më të vështira për t’u arritur.