Luhen 4 çerekfinalet e para të UEFA Nations League

Sport

Luhen 4 çerekfinalet e para të UEFA Nations League. Gjermania mundi Italinë në San Siro, me rezultatin 2-1. Të parët që kaluan në epërsi ishin të azzurët, që në minutën e 9, me anë të Sandro Tonalit. Me këtë finalizim, mesfushori është bërë vetëm italiani i tretë në histori, që shënon ndaj Gjermanisë në 15 minutat e para të lojës.

Në pjesën e dytë, Gjermania u rikthye me ide të tjera në fushë. Në të 49-tën, Tim Kleindienst barazoi rezultatin, kurse në të 76-tën, Leon Goretzka i dha avantazhin ekipit të tij.

Kjo ishte hera e parë që nga viti 2012, që Italia mposhtet në një ndeshje në shtëpi, në të cilën kishte kaluar e para në avantazh.

Por, asnjë nuk ka mbaruar. Ky ishte vetëm akti i parë i kësaj çerekfinaleje, pasi e kthimit do të luhet të Dielën në Dortmund, atje ku do të vendoset se cila prej të dyja përfaqësueseve do të kualifikohet në gjysmëfinale të Nations League.

Në çerekfinalen tjetër, Kroacia mundi 2-0 Francën në shtëpi, falë golave të Budimir dhe Ivan Perisiç në pjesën e parë. Ballkanasit treguan edhe një herë tjetër forcën e tyre, përballë një prej përfaqësueseve më forta të botës. Të Dielën, në Stade de France, gjelat do të tentojnë përmbysjen e madhe, ndërsa mebete për t’u parë me shumë interes se cila prej të dyja ekipeve do të shkojë në gjysmëfinale.

Në Parken Stadion, Danimarka mundi 1-0 Portugalinë. Lojtari që vendosi ndeshjen ishte Rasmus Hojlund në minutën e 78, me të zotët e shtëpisë, të cilët u paraqitën më mirë në shtëpinë e tyre, ndonëse përballë kishin një ekip të rrezikshmërisë së lartë. Të Dielën, në Jose Alvalade, portugezët do të tentojnë përmbysjen, me të dyja ekipet që do të jenë në kërkim të një bilete për në gjysmëfinale.

Çerekfinalja e vetme e Nations League që u mbyll pa fitues, ishte ajo mes Hollandës dhe Spanjës. Në De Kuip gjithçka u mbyll me shifrat 2-2. Të Dielën në Estadio de Mestalla, iberikët dhe tulipanët do të përballen sërish, për një vend në gjysmëfinale.