Lufta brenda Hondas, Jorge Lorenzo i përgjigjet Alberto Puig

Sport

Sezoni i parë i Jorge Lorenzos me motorin Honda ka qenë krejtësisht për t’u harruar. Ndonëse shumë e prisnin që piloti spanjoll të kishte vështirësi në sezonin debutues me motorin e ri, pritshmëritë ndaj 3 herë kampionit të botës ka qenë më të mëdha se sa ajo që ai ka arritur deri më tani. Pakënaqësitë ndaj paraqitjeve të Lorenzos i shprehu hapur shefi i Hondas, Alberto Puig, që deklaronte se pilotit spanjoll i mungonte kurajo dhe gatishmëria për të shfrytëzuar rastet dhe për të bërë më mirë. Kritika të forta këto që mesa duket vetë Lorenzo nuk i ka kaluar lehtë. Piloti spanjoll iu përgjigj këtyre komenteve duke thënë se nuk është askush, brenda apo jashtë Hondas, që mund të thotë se ai nuk është përpjekur apo nuk ka rrezikuar për të bërë më mirë me motorin e tij.

Lorenzo u shpreh se dy përplasjet e rrezikshme që pësoi gjatë këtij sezoni erdhën pikërisht nga presioni dhe dëshira për të marrë rezultate sa më të mira dhe nuk pranon kurrësesi që të akuzohet se nuk është angazhuar si duhet me skuadrën e re. Spanjolli tha se ka respekt të madh për Alberto Puig, pasi është nga ata persona më të cilët ai kuptohet shumë mirë, por Lorenzo shtoi se nuk i pëlqen që njerëzit të krijojnë përshtypjen se ai nuk përpiqet për të rregulluar situatën e vështirë në të cilën ndodhet. Edhe gjatë aventurës tek Ducati, Lorenzo hasi të njëjtat vështirësi në sezonin debutues, ndërsa përmirësimet erdhën vetëm në vitin pasardhës, diçka që drejtuesit e Hondas presin ta shohin sezonin tjetër.