Luçiano Spalletti: Për Osimhen, nuk mjaftojnë as 200 milionë euro

Sport

Ende në pritje për të mësuar se ç’do të ndodhë me të ardhmen e tij, Luçiano Spalletti ka komentuar situatën e Victor Osimhen. Sulmuesi i Napolit është në qendër të vëmendjes, me klube të ndryshme të kontinentit që interesohen për të marrë shërbimet e nigerianit. Presidenti i kampionëve të Italisë, Aurelio De Laurentis, e konsideron vlerën e kartonit të lojtarit, mbi 150 milionë euro. Megjithatë, sipas Spallettit, kaq janë pak. Madje, sipas ish-trajnerit të skuadrës së kaltër, për Osimhen, nuk mjaftojnë as 200 milionë euro.

“Osimhen? Sipas mendimit tim, për Osimhen, nuk do të ishin mjaftueshëm, as 200 milionë euro, pasi ai është një lojtar i jashtëzakonshëm”, ka thënë shkurt 64 vjeçari.

Më tej, zgjedhjen e Napolit, me emërimin e Rudi Garcias si trajner të skuadrës, Spalletti e ka quajtur një mënovër të jashtëzakonshme. Megjithatë, italiani ka bërë thirrje, se Garcia duhet lënë të punojë i qetë, pasi ai ka besim se francezi do të bëjë një punë të përkryer në “Diego Armando Maradona”.

Spalletti nuk pritet të qëndrojë gjatë larg bankinës, por e ardhmja e tij vijon të mbetet një temë diskutimi. Ish-strategu i Napolit u shpreh se vendimi për t’i kushtuar më tepër kohë familjes, i ka lënë njëkohësisht atij, një shije të hidhur që është larguar nga klubi, të cilin e riktheu tek titulli kampion, titull që nuk fitohej prej 33 vitesh me radhë.

Pikërisht për këtë arritje emblematike, emri i Luçiano Spalletit, është gdhendur më gërma të arta në librat e historisë së Napolit.