Luçiano Spalletti konfirmon ndarjen nga Napoli. “Nuk jam gati t’i dhuroj Napolit gjithçka që meriton. Ndihem i lodhur dhe kam nevojë të pushoj për pak kohë. Për këtë arsye, nuk do të jem në krye të Napolit, apo të ndonjë skuadre tjetër, do të pushoj për një vit”, janë fjalët më të freskëta të trajnerit 64 vjeçar, largimi i të cilit nga kampionët e Serie A, do të bëhet zyrtar në mbyllje të këtij sezoni futbollistik.
Megjithatë, Spalletti, e ka shkruar me gërma të arta emrin e tij në librat e historisë së Napolit. Ai do të mbahet mend si trajneri që rikthyu titullin kampion në shtëpi, dhe të 3-tin në historinë e klubit, pas një mungese 33 vjeçare.
Sakaq, drejtuesit e klubit të kaltër kanë nisur nga puna për të emëruar trajnerin tjetër. Mediat e huaja bëjnë me dije se preferenca e presidentit Aurelio De Laurentis është Luis Enrique. Spanjolli mbetet kandidati kryesor për t’u ulur në stolin e stadiumit “Diego Armando Maradona”. Mirëpo për momentin, ngërçi që po mban pezull palët është aspekti financiar. Spanjolli kërkon 8 mln euro në sezon për t’u emëruar në krye të Napolit, një kusht që për klubin italian konsiderohet shumë e lartë. Megjithatë, negociatat mes palëve pritet të vazhdojnë dhe nuk përjashtohet mundësia që në fund të gjendet një rrugë e mesme.
Më tej, nëse Enrique nuk vjen, Napoli ka gati të tjera alternative, duke nisur nga Vincenzo Italiano, Thiago Motta, apo edhe Sergio Conceiçao.