Pavarësisht se u spekulua shumë se do të largohej nga Manchester United, Paul Pogba do të vijojë në fakt të jetë pjesë e ‘djajve të kuq’ të paktën edhe për një sezon tjetër. Francezi mbetet ende pika kyçe e projektit të trajnerit Solskjaer dhe pavarësisht se dëshira e lojtarit ishte një transferim i mundshëm tek Real Madrid, United bllokoi çdo tratativë. Kampioni i botës është vlerësuar shpesh si lojtari më i mirë i ‘djajve të kuq’ dhe një ish i radhës që e pohon këtë është Lous Saha. Ish-sulmuesi i Manchester United beson se Pogba është i vetmi yll i klasit botëror që ka për momentin në organikë skuadra e Solskjaer. Madje Saha shkon deri aty sa thotë se francezi po luan në nivelet më të larta të mundshme, të denja për t’u marrë në konsideratë edhe për ‘Topin e Artë’. Sigurisht që për t’u bërë një pretendent serioz, Pogba i duhet të udhëheqë skuadrën drejt trofeve, diçka që francezi e kërkon prej kohësh. Për të provuar se Pogba është lojtari më i mirë i Solskajer, Saha thotë se mjafton të shohësh se cili është futbollsti që kritikohet më shumë kur Manchester United nuk fiton.
“Nuk dua të fyej lojtarët e tjerë, por Pogba është i vetmi yll botëror në atë skuadër. Jo më kot ai është i pari që merr kritikat nëse gjërat nuk shkojnë mirë. Ai është një lider dhe i vetmi që mund të bëjë diçka ndryshe nga të tjerët.”
Për Paul Pogba shfaqën interes gjatë verës skuadra si Juventus dhe Real Madrid, por drejtuesit e Manchester United u bindën nga ana e trajnerit Solskjaer për të mbajtur kampionin e botës në ‘Old Trafford’.