Kohë bisedimesh për rinovime te Lacio. Mirëpo nuk bëhet fjalë vetëm për futbollistët, por edhe për drejtuesit. Sipas asaj që ka shkruar gazeta romane “Corriere Dello Sport”, presidenti Lotito ka arritur një akord me drejtorin sportiv Igli Tare. Ish-sulmuesi shqiptar, që tashmë ka mundur të ndërtojë një karrierë të rëndësishme si drejtues, do të firmosë një kontratë të re 4-vjeçare me Lacion që do të skadojë në 2022-shin. Në këtë mënyrë, presidenti lacial dëshiron të blindojë atë që është cilësuar si drejtori sportiv më i sukseshëm i viteve të fundit në Itali. Jo më kot, në drejtim të Tares, ka pasur interesime nga Interi, apo është përfolur edhe si një nga kandidatët e mundshëm për të marrë post me rëndësi në Milanin e ri, që tashmë është nën administrimin e “Elliot”. Gjithsesi duket se Tare nuk ka dashur të tradhtojë Lotiton, i cili ishte i pari që besoi tek ai, fill pasi ish-sulmuesi vari ‘këpucët në gozhë’.
Tashmë, me bardhekaltërit ka detyrën kryesore të arrihet një renditje në kampionat, edhe më lart se ajo e sezonit të kaluar. Natyrisht, me zonën e Champions League që mbetet objektivi kryesor. Veçanërisht këtë vit, Tare ka synuar të ndërtojë një skuadër sa më kompetitive, duke realizuar edhe shitje fitimprurëse. Ndërkohë që duke përfituar nga pauza për shkak të impenjimeve të Kombëtareve, drejtuesi ka nisur edhe të përpilojë axhendën e takimeve dhe bisedimeve, për rinovimet me lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës aktuale, si Imobile, Milinkovic-Savic, apo edhe Luis Alberto, të cilëve vec zgjatjes së kontratës, pritet të kenë rritje edhe në pagën vjetore që përfitojnë.