Los Angeles Lakers kanë marrë fitoren e 9 radhazi, teksa mposhtën 128-99 skuadrën e Cleveland Cavaliers. Sfida rezultoi të ishte më e lehtë se sa pritej për ekipin e drejtuar nga Frank Vogel, që vuante mungesat e Anthony Davis dhe Rajon Rondo. LeBron James ishte ai që udhëhoqi kalifornianët në triumfin ndaj ish-skuadrës së tij, me 31 pikë, 8 asiste dhe 2 rikuperime të topit nën tabelë. Paraqitje befasuese edhe nga veterani Dwight Howard, i cili në 24 minuta në parket, realizoi 21 pikë, si dhe fitoi plot 15 duele për zotërimin e topit nën tabelë. Sa i përket Cavaliers, Kevin Love bëri paraqitjen më të mirë me 21 pikë dhe 11 rikuperime të topit, ndërsa kanadezi Thompson u ndal në 17 pikë dhe 10 rikuperime.
Duket se ka gjetur sërish rrugën e fitoreve edhe skuadra e Boston Celtics, që mposhti 113-101 Chicago Bulls. Treshja Jayson Tatum, Jaylen Brown dhe Kemba Walker realizuan në total 54 pikë, teksa dhuroi një performancë të mirë edhe basketbollisti turk, Enes Kanter, me 15 pikë dhe 9 rikuperime të topit nën tabelë. Tek Chicago ishte Zach LaVine që u përpoq të bënte rezistencë me 30 pikët e tij, por që nuk ndryshuan fatin e këtij takimi.
Në ndeshjet e tjera, Portland mori një triumf të vështirë, 115-112 ndaj Charlotte Hornets, kurse Indiana Pacers morën një fitore mjaft të rëndësishme ndaj Philadelphia 76ers, të cilët i mundën 101-95.