Lorik Cana, ish-kapiteni i Kombëtares, ka folur mbi Edoardo Reja ekskluzivisht në “Studio Champions League” në Tring Sport 1 HD, vetëm pak orë pas zyrtarizimit të italianit në krye të përfaqësueses kuqezi. Ja cfarë ka thënë ai: “Eshtë një trajner me eksperiencë shumë të madhe. Me shumë mundësi, një nga trajnerët që besoj se ka moshën më të madhe jo vetëm në Itali, por në mbarë futbollin. Ne kemi pasur edhe Baric, por ky vjen me moshë më të madhe”.
Sipas Canës, i cili e ka pasur Rejën si trajner gjatë përvojës te Lacio në 2011-2012 dhe në 2014-n, ka edhe një pjesë mbi teknikun që ngre pikëpyetje: “Kur një trajner ka një moshë 73-vjeçare dhe me përvojë, qëllimi është i qartë, të stabilizohet ekipi dhe të merret më e mira deri në nëntor, së paku. Mirëpo, kjo pjesa që nuk ka absolutisht asnjë lloj përvoje përveç kampionatit italian, ngre pak pikëpyetje. Por është një person që e njeh mirë futbollin dhe shpresojmë që të arrijë të marrë më të mirën nga ky ekip”, ka deklaruar Cana, gjatë emisionit të së mërkurës “Studio Champions League”.