Lorik Cana në formacionin “flop”

Sport

svsvvs.jpg

Lorik Cana ka përfunduar mes lojtarëve “flop” të kampionatit francez. Oshilacionet në paraqitje, që kanë shoqëruar sezonin e mbrojtësit 32-vjeçar duket se janë pasqyruar konkretisht, me përfshirjen e tij në 11-shen e lojtarëve zhgënjyes të këtij sezoni në Francë. Pak ditë nga përfundimi i Ligue 1, një nga faqet më të mëdha sportive franceze, “sports.fr” ka publikuar formacionin, ku kapiteni i Kombëtares shqiptare figuron në qendrën e mbrojtjes.
Kjo përfshirje e Canës ka ardhur e shoqëruar me fjalët: “U kthye në Francë për të rilinduar dhe për t’u përgatitur për Europianin që do të luajë në tokën franceze për herë të parë me Shqipërinë. Ish-mbrojtësi i Marsejës është aktivizuar 21 ndeshje, por ka qenë vazhdimisht i dëmtuar dhe shumë rrallë efikas. E kështu që ka përfunduar në listën e të papëlqyerve, edhe nga ana e tifozëve të Nantë”.
Në këtë ekip të lojtarëve zhgënjyes, ku vërehet se ka një dominim të lojtarëve të Olimpikut Marsejës, bën pjesë edhe një emër i njohur, po ashtu i rikthyer në kampionatin francez si Matjë Valbuena i Lionit, por gjithashtu edhe shoku i skuadrës së Canës, Sigtorson.