Ditën e djeshme ish kapiteni i kombëtares dhe imazhi i Tring, Lorik Cana, ka ndarë me ndjekësit një letër që ka marrë nga një fans. “Do të doja ta ndaja me ju këtë letër që ka ardhur nga një fans polak i apasionuar pas futbollit dhe ta falenderoja atë për fjalët dhe donacionin. Ti thua ‘e vogël’ në letër, por për mua nënkupton botën. Faleminderit Tomasz,” ka shkruar Loriku krahas postimit.
“I dashur zotir Lorik Cana,
Do të doja t’iu jepja gjithë vlerësimin tim dhe t’iu përgëzoja për suksesin në futboll. Unë jam fansi juaj më i madh prej shumë vitesh tashmë, që nga koha kur luanit për Olimpikun e Marsejës. Më vonë ndoqa me shumë pasion dhe entuziazëm hapat e karrierës tuaj, duke parë të gjitha ndeshjet ku ju luanit për klubet e huaja dhe për kombëtaren tuaj. Ju ishit futbollisti im i preferuar, inspirimi dhe heroi im i fëmijërisë. Prandaj do të doja që t’iu kërkoja me mirësjellje që të më dërgonit një fotografi tuajën së bashku me një autograf. Për mua ka shumë vlerë. Do t’iu isha shumë mirënjohës dhe i lumtur. Do të plotësonit ëndrrën time. Shumë faleminderit për mirësjelljen dhe gjithë emocionet që më keni dhuruar nëpërmjet futbollit. Në këtë letër do të gjeni gjithashtu një donacion të vogël për fondacionin Lorik Cana. Ju lutem pranojeni. Dhe në fund, ju uroj gjithë të mirat në futboll dhe në jetën private,” ka shkruajtur fansi në letër.