Lopetegui në dyshim, Reali mendon për italianin ose një ‘ish’

Sport

lopetegui
4 ndeshje pa fituar dhe mbi të gjitha pa shënuar gol kanë bërë që tek Reali i Madridit të mos ketë një klimë të mirë. Kështu, edhe pozicioni i Julien Lopetegui është vendosur në dyshim, duke ditur që Perez është nga ata presidentë, të cilëve u sos shpejt durimi. “Los Blancos” që vijnë nga dy humbje – në Moskë ndaj Cska për Champions dhe në fushën e Alavesh për kampionat, nuk janë në pozita aspak të mira. Sipas asaj që raportohet nga e përditshmja spanjolle “AS”, drejtuesit madrilenë duan të marrin edhe pak kohë. Për Lopetegui, më shumë sesa ndeshjet e ardhshme ndaj Levantes në La Liga dhe Viktoria Plzen në Champions, mund të rezultojë vendimtar “El Clasico” i 28 tetorit ndaj Barcelonës në “Camp Nou”.

Julen Lopetegui
Në një situatë të tillë kanë filluar të përmenden edhe emrat e parë si zëvendësues të mundshëm të ish-teknikut të Spanjës. Në krye të listës duket se qendron italiani Antonio Conte, i vetmi trajner me një farë niveli që aktulisht është në gjendje pritjeje pas shkarkimit nga Chelsea . Për më tepër që ish-trajneri i Juventusit ishte ndër kandidatët edhe për të zëvendësuar Zidane, por në verë nuk u bë dot gjë për shkak se ishte ende i lidhur me blutë e Londrës. Por gjithashtu, Perez sheh me sy të mirë edhe një ish-lojtar të “Los Blancos”, si Santiago Solari, trajnerin aktual të Real Castillas, ekipit të dytë të klubit kampion të Evropës.  Për t’u kujtuar është që madrilenët kanë një precedent pozitiv, me afrimin e ish-futbollistëve të vet. Zinedine Zidane erdhi nga skuadra e rezervave në janar të 2014-s, pas vendimit për largimin e Rafa Benitez. E të gjithë e dinë sesi shkoi aventura e francezit, i cili mundi të fitojë 3 Champions League radhazi.