Lojtari i Napolit vetëm një hap larg nga Manchester United

Sport

Aventura e Kim-Min jae tek Napoli, mund të konsiderohet e mbyllur. Koreano-jugori është vetëm një hap larg Manchester United. Mediat përtej detit shkruajnë, se klubi anglez do të paguajë klauzolën e plotë të futbollistit, që është 60 mln euro.

Është pikërisht kjo klauzolë, që edicionin e kaluar, Napoli e bindi lojtarin të transferohej në Diego Armando Maradona. Mirëpo, drejtuesit e kampionëve të Italisë, ndoshta nuk e kishin menduar, se vetëm për një sezon, Kim do të ngjitej në një nivel aq të lartë, saqë të kërkohej nga klube me peshë të kontinentit.

Për të kuptuar sa i rëndësishëm ishte Kim përgjatë sezonit 2022/23 me Napolin, mjaftojmë të përmendim këtu se ai luajti 35 ndeshje të Serie A nën urdhërat e trajnerit Luçiano Spalletti dhe 45 në të gjitha kompeticionet.

Djajtë e Kuq, shohin tek 26 vjeçari elementin e duhur për t’u përforcuar në prapavijë, e për këtë arsye janë gati të mos kursehen. Në kushte si këto, kampionët e Italisë, nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse të shohin në merkato për zëvendësuesin e aziatikut.

Mirëpo, përpara se të bëhet pjesë e 20 herë kampionëve të Anglisë, Kim pritet të rikthehet në vendin e tij të lindjes, për të kryer shërbimin ushtarak për një periudhë rreth një mujore, e më pas do të udhëtojë drejt ishullit, për t’u bashkuar me Manchester United.