Lojtarët me probleme, Juventusi i detyruar të ndërhyjë në merkaton e Janarit

Sport

Ngjarjet e fundit që e kanë mbështjellë Juventusin, do ta detyrojnë klubin që të ndërhyjë në merkaton e Janarit. Si fillim, Paul Pogba rezultoi pozitiv në testet anti-doping, e si pasojë, mesfushori pritet të pezullohet për një kohë të gjatë nga Juventusi. Mirëpo, telashet nuk janë ndalur me kaq. Nicolo Fagioli është rasti tjetër më i freskët, me mesfushorin që akuzohet se ka luajtur baste online në platforma të paligjshme.

Hetimin ndaj 22 vjeçarit, Prokuroria e Torinos, e ka nisur që në muajin Shtator, teksa një përgjigje përfundimtare pritet në Nëntor të këtij viti. Në lidhje me këtë çështje, sikurse raportojnë mediat përtej detit, vetë Fagioli i ka pranuar akuzat, por ka thënë se Juventusi, asnjëherë nuk ka qenë pjesë e basteve të tij.

Nëse në përfundim, lojtari do të shpallet fajtor, atëherë rrezikon një përjashtim 3 vjeçar nga aktiviteti, duke vënë kësisoj karrierën në rrezik falimentimi.

Për të dyja rastet e sipërpërmendura, Juventusi mund të mos preket nga drejtësia, sepse përgjegjësia dhe masa e ndëshkimit do të konsiderohet individuale, por Zonja e Vjetër, do të jetë e detyruar të ndërhyjë në merkaton e Janarit.

Sipas mediave italiane, klubi torinez ka piketuar mesfushorin e Tottenham Pierre Hojbjerg. Ky i fundit, nuk është i kënaqur me minutat që po merr në radhët e Tottenham, e si pasojë largimin e merr në konsideratë përgjatë afatit kalimtar të dimrit.

Gjithashtu edhe Lazar Samardzic është një tjetër mundësi. Në verën që lamë pas, 21 vjeçari ishte shumë pranë transferimit tek Interi, por si përfundim asgjë e tillë nuk ndodhi, kështu që serbi qëndroi tek Udinese.

Më tej, gjithnjë sipas mediave italiane, Juventusi është duke menduar edhe për të rikthyer Federico Bernardeschin, i larguar nga “Allianz Stadium” një vit më parë atëherë kur u transferua në Amerikë, në skuadrën e Torontos.