Lojtarët e Kombëtares, ja kush është më i kushtueshmi në kohën e “Covid-19”

Sport

Periudha pa aktivitete sportive, si në lidhje me kampionatet, ashtu edhe me Kombëtaret, kanë ndikuar në vlerat e merkatos të futbollistëve në të gjithë botën. Nuk kanë mbetur pa u prekur edhe lojtarët e përfaqësueses kuqezi. Kështu mund të thuhet se tashmë Shqipëria të ketë një udhëheqës të ri, sa i përket futbollistëve me kartonin më të kushtueshëm, sipas renditjes së fundit që ka publikuar portali i njohur, “transfermarkt.de”. Në krye të listës si më i shtrenjti ndër kuqezinjtë e Kombëtares shqiptare qendron Marash Kumbulla. Ndryshe nga sa ndodhte disa kohë më parë, mbrojtësi i talentuar i Veronës, nuk e ndan kreun me Thomas Strakoshën. Përkundrazi, tani gjendet i vetëm përpara të gjithëve, teksa gëzon vlerën e 22.5 milionë eurove. Vërehet një rënie prej gati 10% në kuotimin e tij, përderisa më parë vlerësohej 25 milionë euro.
Gjithsesi, përkundër kësaj rënieje, ai mbetet më i vlerësuari ndër futbollistët shqiptar. Ndërkohë që më e ndjeshme, plot 20%, ka qenë ulja e vlerës së portierit të Lacios, Thomas Strakosha. Kartoni i tij tashmë kushton 20 milionë euro, gjithmonë sipas vlerësimit të bërë nga Transfermarkt dhe krahasuar me periudhën përpara ndërprerjes së kampionateve. I treti në këtë renditje të veçantë figuron ende Elseid Hysaj, megjithëse kartoni i kushton vetëm 13 milionë euro, gjë që mund të jetë në leverdinë e tij duke parë se dëshiron të largohet nga Napoli në fund të këtij sezoni. Plot 12 milionë euro është vlera e atij që mban vendin e katërt, pikërisht Berat Gjimshiti, i cili ka lënë një përshtypje gjithmonë e më pozitive përmes paraqitjeve të tij te Atalanta.
Ndërkaq vërehet se lojtarët e tjerë të Kombëtares kanë të gjithë vlerë nën 2,5 milionë eurove, duke filluar nga Etrit Berisha i SPAL dhe Emanuele Ndoj i Breshias, për të ardhur më tej tek Taulant Xhaka, Amir Abrashi, Kedi Bare, dhe Bekim Balaj. Mirëpo mbi të gjitha tërheq vëmendjen se për shkak të rivlerësimit që ka sjellë kjo periudhë e ndikuar nga Coronavirusi, vetëm 11 futbollistë të Kombëtares tonë e kalojnë kuotën e 1 milionë eurove. Lojtarë të spikatur si Roshi, Manaj, Ismajli apo Klaus Gjasula vlersësohen nga 700 deri në 950 mijë euro.