Konfuzion te Baseli, ku lojtarët janë ballafaquar me klubin për të reduktuar pagat e tyre me 17.5% në vit, ose më konkretisht me reduktimin prej 70% gjatë prillit, majit dhe qershorit. Muaj këto që duket se nuk do të ketë ndeshje për shkak të pandemisë Covid-19. Por Taulant Xhaka me shokë kanë vendosur kushte të prera, për drejtuesit e Baselit. Futbollistët kryesorë të klubit zviceran, mes të cilëve edhe mesfushori kuqezi, dolën të martën në mbrëmje me një deklaratë të përbashkët nëpër rrjetet sociale. Në këtë mënyrë kanë publikuar letrën, që ka komentuar situatën.
Formulimi i deklaratës:
«Për shkak të sasisë së madhe të informacioneve që qarkullojnë aktualisht në media, ne, skuadra e para e FC Basel, jemi të detyruar të korrigjojmë disa gjëra. Akuza që skuadra nuk është gati të heqë dorë nga një pjesë e pagës, nuk është e vërtetë. Të gjithë lojtarët kanë dhuruar për bamirësi të paktën 20% të pagës së tyre gjatë muajit të kaluar. Kjo ka pasur si synim që paratë të dërgohen aty ku ishte më tepër e nevojshme për shkak të problemi të coronavirusit.
Të gjithë lojtarët e skuadrës janë gati të heqin dorë nga një pjesë e përfitimit të tyre në muajt kur s’do të ketë ndeshje, me kusht që të dinë se ku po shkojnë parartë dhe për cfarë do të përdoren. Gjithsesi, asnjë lojtar i skuadrës nuk do të bëjë një deklaratë publike, përveç kësaj”, është shkruar në komunikatën për mediat.
Për të mbërritur deri në këtë pikë ka pasur një përplasje të fortë mes senatorëve të skuadrës dhe drejtuesve. Fillimisht, një këshill i lojtarëve – ku ndër lidërët kryesorë ishte edhe Xhaka -, refuzoi propozimin fillestar të klubit, duke mos qenë dakord me politikën e ndjekur. Teksa kishin sugjeruar që të reduktonin vetëm 5%, ose 1,25% sa i takon pagës vjetore. Gjë që do të thotë se nëse një lojtarë përfiton 1 milionë franga, do të jepte për të ndihmuar klubin në krizë vetëm 12.500 franga. Në një situatë të tillë, në një farë konflikti për cështjen e rrogave pati hyrë edhe Taulant Xhaka me tifozët e Baselit. Por mesa duket tashmë gjendja është drejt sqarimit. Ndonëse është fakt se kriza e shkaktuar nga Covid-19, ka paralizuar futbollin në Zvicër e mbi të gjitha ka bërë që klubet të vuajnë financiarisht.