Lojtarët anglezë vendosin rregullin për të mos folur me njëri-tjetrin!

Sport

Rëndësia e finales së 1 qershorit në Madrid duket se ka kaluar çdo kufi për lojtarët e Liverpool dhe Tottenham. Tek ‘the reds’ duan të lënë pas dështimin e finales së sezonit të kaluar, ndërsa tek ‘Spurs’ kërkojnë të shpallen kampionë të Europës për herë të parë. Kështu, për të ruajtur balancat, lojtarët e dy skuadrave finaliste kanë vendosur të mos flasin më me njëri-tjetrin. Bëhet fjalë për lojtarë të kombëtares angleze, të cilët kanë vendosur një pakt për të mos biseduar fare së bashku deri në përfundimin e finales. Këtë e ka zbuluar kapiteni i Liverpool, Jordan Henderson, që tregon se është vendosur rregulli për të mos kontaktuar me askënd nga rivalët deri pas mbrëmjes së madhe të Madridit.

Henderson është një prej 9 lojtarëve të finales së ‘Champions League’, që kanë marrë ftesën nga kombëtarja e Anglisë. Veç Henderson, pjesë të kësaj liste janë edhe Trent-Alexander Arnold dhe Joe Gomez nga Liverpool dhe Dele Alli, Eric Dier, Harry Kane, Danny Rose, Harry Ëinks dhe Kieran Trippier nga Tottenham. Lojtarët kanë mbajtur distancë ndaj rivalëve, ndërsa Henderson thekson se pavarësisht se si do të shkojë finalja e ‘Champions League’-ës, çdo gjë do të kthehet në normalitet sapo ata të ritakohen në grumbullimin e kombëtares angleze. Fillimisht u fol se kjo gjë ishte kërkuar nga trajnerët Jurgen Klopp dhe Mauricio Pochettino, por Henderson ka mohuar duke thënë e gjitha është pjesë e një pakti mes vetë lojtarëve anglezë.