Nis revolucioni te Gjermania. Pas zhgënjimit në botërorin rus ku u eliminuan në grupe nga Suedia, Meksika dhe Korea e Jugut, katër herë kampionët e Botës kanë vendosur të ndërrojnë faqe. Trajneri i kombëtares Joachim Loew ka shtyrë për një nisje të re duke vendosur që organika e skuadrës që do të përfaqësojë Gjermaninë në vitin 2020 të jetë me fytyra të reja. Kështu Jerome Boateng, Mats HUmmels dhe Thomas Mueller, që aktivizohen me Bayernin e Munich-ut janë përjashtuar nga planet e këtij turneu. Loew thuhet nga mediat gjermane se ka vajtur vetë në Munich dhe ua ka komunikuar lojtarëve ballë-për-ballë. Sipas tij kjo është për të mirën e kombëtares në mënyrë që brezi i ri të ketë më shumë hapësira.
Të tre lojtarët në fjalë luajnë për Gjermaninë që prej vitit 2010-të. Pas lajmit që zuri faqet kryesore të mediave sportive, Jerome Boateng reagoi duke konfirmuar gjithcka në rrjetet sociale. “Kam qenë gjithmonë i nderuar që kam mundur ta veshë fanellën e kombëtares dhe nuk do ta harroj kurrë verën e vitit 2014-të. Edhe pse do më kishte pëlqyer që të shihja një largim ndryshe për ne, i uroj kombëtares një të ardhme të suksesshme” shkroi mbrojtësi i Bayernit. Ndryshimet në skuadër trajneri Loew i pati paralajmëruar që vitin e kaluar, ndërkohë që hera e fundit që Boateng, Hummels dhe Muller kanë luajtur së bashku për Gjermaninë ka qenë humbja 3-0 me Holandën më 13 tetor.