Bjellorusia është i vetmi vend, ku vazhdon të luhet futboll, të paktën sa i takon kontinentit të Evropës ku prej disa javësh janë të pezulluara të gjithë aktivitetet sportive. Pas Elis Bakajt, mbi këtë çështje ka folur edhe sulmuesi shqiptar Asdren Llullaku, i cili aktivizohet me Shakhtyor Soligorsk dhe shpreson që në Bjellorusi të fillojnë ta shohin më me seriozitet situatën pas përhapjes së Coronavirusit. Atje është ndër të paktat vende ku jeta vazhdon normalisht, edhe pse ka pasur raste njerëzish të infektuar. Sipas sulmuesit shqiptar rrezikohet vërtet që të krijohet një situatë dramatike, gjë të cilën e ka shpjeguar për “Sky Sport” në Itali vetë ish-lojtari i Astras, Gaz Metan apo Virtus Entela. “Në Bjellorusi nuk flitet shumë për Coronavirusin. Një ditë më parë luajtëm, ndërsa për momentin vazhdojmë ende stërvitjen. Madje një lojtar ka dalë pozitiv në testin e kryer dhe kjo na shqetëson shumë. Mirëpo ja që është vendosur kështu dhe na duhet të përshtatemi me vendin ku jetojmë. Tifozët, me vetë iniciativën e tyre, kanë vendosur që të mos vijnë të shumtë në stadium. Mendoj se kjo është diçka pozitive, pasi njerëzit kanë filluar të kuotojnë se sa serioze është situata, edhe pse ende ata nuk duken aq shumë të shqetësuar. Uroj që të mos krijohet ndonjë situatë dramatike, por nëse vazhdojmë kështu, me siguri do të ndodhë”, përfundoi Lullaku.