Llogaritë e play-off, ja kundërshtarët e Shqipërisë e Kosovës

Sport

Shqipëria dhe Kosova, kanë siguruar fitore të rëndësishme këtë javë në kualifikueset e Botërorit dhe tashmë e shohin veten në vendin e dytë në renditjen e grupeve përkatëse, vetëm një hap larg sigurimit të play-off për zonën Europiane të turneut.

Formula e veçantë e play-off përfshin 12 skuadrat e dyta në grupe, si dhe 4 skuadrat që nuk kanë qenë në dy vendet e para në grupet përkatëse, të cilat kanë hyrë nëpërmjet renditjes në Ligën e Kombeve. Në situatën aktuale pas ndeshjeve të së hënës, si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, e shohin veten në vazon e tretë. Duhet theksuar se renditja për tre vazot e para, bëhet duke marrë për bazë klasifikimin e FIFA-s.

Ndërsa skuadrat e Ligës së Kombeve, edhe pse me renditje më të lartë në FIFA, shkojnë direkt në vazon e katërt. Formula e play-off, është me gjysmëfinalet e një skuadre të vazo 2 si pritëse kundër një skuadre të vazos 3, ndërsa një skuadër e vazos 1 është pritëse ndaj nëj skuadre të vazos 4. Në finalet, të cilat luhen po me ndeshje teke, fituesi i një çifti nga përplasjet e vazove 1-4 luan kundër fituesit të një çifti nga sfida e vazove 2-3, me vendin pritës që caktohet nga një short. Në situatën aktuale, katër kundërshtarët e mundshëm për Shqipërinë dhe Kosovën janë Skocia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia.