Ndryshe nga të gjitha skuadrat e tjera në Angli, Liverpooli ka qenë shumë më pak, ose thuajse aspak aktiv në merkato. Kampionët e Europës kanë parë rivalët e Manchester City të transferojnë një emër të rëndësishëm si Rodri, teksa Manchester United, Arsenali apo Tottenham, kanë thyer rekordet e tyre sa i përket transferimeve. Megjithatë trajneri i ‘the reds’, Jurgen Klopp nuk shqetësohet për këtë fakt. Tekniku gjerman u shpreh se do të ishte një gabim fatal nëse drejtuesit e Liverpool do të përfshiheshin në blerje lojtarësh vetëm prej faktit se një gjë të tillë e kanë bërë skuadrat rivale. Klopp shtoi se ai dhe tifozët e Liverpool nuk kanë pse të shqetësohen për sezonin e ri, pasi të gjithë lojtarët që shpallën skuadrën kampione të Europës për herë të gjashtë janë ende pjesë e grupit.
Gjermani bëri një krahasim sa i përket blerjeve të mëdha të klubeve të tjera, duke thënë se njësoj si një makinë e re, edhe lojtarët e rinj krijojnë entuziasëm në fillimet e tyre, por sapo fillojnë të shfaqin probleme, ky entuziasëm largohet. Liverpooli i tij është i kompletuar dhe shumë analistë i japin të drejtë trajneri Klopp rreth çështjes së merkatos, pasi ‘the reds’, edhe pse nuk kanë transferuar asnjë lojtar të madh, mbetet ende pretendentët kryesorë për të triumfuar në çdo kompeticion ku luajnë. Megjithatë, Klopp pranon se lufta në ‘Premier League’ do të jetë gjatë këtij sezoni edhe më e fortë se më parë, ndonëse për të, Manchester City i Pep Guardiolas mbetet ende ekipi kryesor për t’u mundur.