Liverpool zyrtarizon “vjedhjen” e merkatos së verës

Sport

Liverpool zyrtarizon blerjen e parë të merkatos së verës. The Reds kanë kompletuar me sukses transferimin e Mac Allister nga Brighton. Kjo lëvizje e gjigantëve nga Merseyside, konsiderohet gjithashtu edhe si “vjedhja” e verës, sepse “operacioni” u krye për vetëm 40 mln euro, ndërsa lojtari ka firmosur një kontratë 5 vjeçare me 6 herë kampionët e Europës.

Mac Allister konsiderohet ndër mesfushorët më të mirë në qarkullim, me vlerën e kartonit të tij që konsiderohej më tepër sesa 70 mln euro. Për këtë arsye, fakti që Liverpool pagoi kaq pak për të, cilësohet një lëvizje mjaft e zgjuar e 19 herë kampionëve të Anglisë, duke lënë në njëfarë mënyre edhe të pakënaqur tifozërinë e Brighton, që tanimë nuk do të kenë në radhët e tyre një ndër lojtarët më të mirë të skuadrës, sidomos për sezonin që vjen, pasi për herë të parë në historinë e klubit, do të luajnë në një kompeticion europian.

Transferimi I Mac Allister tek Liverpool, analizohet si lëvizja e duhur në momentin e duhur për të dyja palët. Prej disa sezoneh me radhë, Liverpool nuk po arrinte të gjente dot një element të duhur për mesfushën, ndërsa nga ana tjetër, tashmë 24 vjeç, kjo konsiderohet si faza vendimtare e Mac Allister për të bërë hapin e madh në karrierë.

Me petkun e kampionit të botës mbi shpinë, argjentinasi ka fituar më tepër eksperiencë dhe është gati të mbajë më tepër përgjegjësi mbi shpinë. E në fakt, detyra e tij në “Anfield” do të jetë e madhe. Për ta kuptuar më mirë këtë gjë, mjafton të përmendim këtu, se mesfushori do të mbajë mbi shpinë fanellën me numrin 10-të, një tregues se ai do të jetë nga lojtarët kyç të skuadrës së drejtuar nga Jurgen Klopp.