Liverpool zyrtarizon blerjen më të re të merkatos së verës. The Reds kanë siguruar shërbimet e Dominik Szoboszlai, të cilin e blenë nga Leipzig për shifrën e 70 milionë eurove.
Mesfusha është një repart që 19 herë kampionët e Anglisë hasën jo pak probleme në edicionin që lamë pas, e për këtë arsye, janë përqendruar maksimalisht që të plotësojnë këtë hendek. Pasi më herët u siguruar Mac Allister nga Brighton, këtë herë ishte radha e Szoboszlai.
Hungarezi nënshkroi një kontratë 5 vjeçare me Liverpool, teksa gjigantët nga Merseyside, janë të bindur se 22 vjeçari do të bëhet një yll në Anfield.
Që mesfushori të bashkohej me 6 herë kampionët e Europës, është dashur vetëm një telefonatë nga trajneri Jurgen Klopp, i cili e ka bindur shtatlartin të pranojë ofertën e anglezëve, të ndërpresë pushimet dhe të zbarkojë menjëherë në Liverpool për të nënshkruar kontratën.
“Nuk mund të them se çfarë diskutuam me Klopp në telefonatën tonë, por mbeta i befasuar nga komunikimi që pata me të. Ai është një nga trajnerët më të mirë në botë, por është gjithashtu edhe një person i jashtëzakonshëm. Biseduam, sikur kishim shumë kohë që njiheshim bashkë”, ka thënë Dominik Szoboszlai, i cli në Anfield do të mbajë veshur fanellën me numrin 8-të.
Më tej, mesfushori është shprehur se vetëm 22 vjeç, ai ka realizuar ëndrrën e tij të fëmijërisë, që ishte të luante për një klub të madh. Tani që i është plotësuar dëshira, Szoboszlai është shprehur se do të punojë fort që të përmirësohet sa më shumë dhe të fitojë trofe me fanellën e kuqe.
Ndërkohë, Liverpool nuk e ka mbyllur ende merkaton. Drejtuesit po punojnë ende për të afruar të tjera përforcime.