Liverpool zgjat duart drejt titullit kampion në Premier League

Sport

Liverpool zgjat duart drejt titullit kampion në Premier League. Në javën e 27 të kampionatit, The Reds fituan 2-0 ndaj Neëcastle në shtëpi, duke treguar edhe një herë tjetër hapin e tyre të pandalshëm.

Golat e sfidës u shënuan nga Dominik Szoboszlai në minutën e 11 dhe pastaj nga Mac Allister në të 63-tën.

Kjo ishte ndeshja e 18-të radhazi që Liverpool shënon të paktën 2 gola në Anfield në të gjitha kompeticionet. Kjo është ecuria më e mirë e një skaudre angleze në shtëpi me të paktën 2 gola për çdo takim, që nga viti i largët  1935.

Sakaq, Mohamed Salah vijon sezonin e tij të jashtëzakonshëm. Egjiptiani asistoi në golin e dytë, duke shkuar në këtë mënyrë në kuotën e 17 asisteve vetëm në Premier League këtë sezon. Në këtë drejtim, vetëm Thiery Henry në edicionin 2002/03 ka mundur të bëjë më mirë, me 20 asistime. Në rrethana si këto, duke marrë parasysh që deri në fund të kampionatit Liverpool ka edhe 10 javë të tjera për të luajtur, mundësitë janë mjaft të mëdha që Salah të vendosë një rekord historic në aspektin e asisteve të dhuruara për shokët e skuadrës.

Për t’u rikthyer tek Liverpool, pas kësaj fitoreje të arritur, skuadra e kuqe ka shkuar në kuotën e 67 pikëve në vendin e parë dhe për momentin, qëndron 13 pikë e shkëputur nga Arsenali ndjekës. Ndonëse distanca me vendin e dytë është e madhe, sërish, trajneri i skuadrës, Arne Slot, refuzon të flasë për titullin kampion, duke thënë se rruga për të shkuar drejt trofeut është shumë e gjatë, prandaj, përqendrimi duhet të jetë vetëm në ndeshjen e radhës.