Arne Slot, trajneri i Liverpool:
“Kjo është një ndeshje e madhe. Unë mendoj se Real Madrid dhe Man.City kanë dominuar Europën dhe ligat respektive në vitet e fundit, por edhe Liverpool-i ka qenë gjithmonë aty, duke konkuruar ndaj tyre, për të marrë maksimumin. Është një javë speciale për ne, sepse luajmë dy ndeshje me kaq peshë në shtëpinë tonë dhe e dimë se çfarë na rezervon kalendari në vazhdim. Do të jenë dy ndeshje speciale, ndaj dy kundërshtarëve që kanë dominuar në vitet e fundit. Mendoj se është mënyra më e mirë për të provuar vlerat tona në këtë pikë të sezonit.
Kemi patur rezultate të mira dhe kjo vjen për meritë të lojtarëve. E dimë se sa përkushtim kërkojnë të gjithë objektivat që i kemi vendosur vetes, prandaj jemi përpjekur të qëndrojmë me kokën ulur e të mendojmë për ecurinë tonë ndeshje pas ndeshje.
Komentet e Salah në fundjavë? I kam dëgjuar nga njerëzit atë se çfarë është folur, por siç e kam thënë edhe më parë, këto nuk janë gjëra që ne duhet t’i flasim këtu. E vetmja gjë që unë mund të them, është në lidhje me formacionin dhe aty, Salah me gjasa do të jetë në lojë. Ne duam që shifrat e Salah të vazhdojnë të përmirësohen dhe për momentin, ai po bën një punë të shkëlqyer. E shoh të përqëndruar tek fusha e blertë dhe kjo është ajo që më intereson. Për sa kohë që rendimenti i tij apo i gjithë skuadrës vazhdon të jetë i njëjtë, atëherë nuk kam se çfarë të kërkoj më tepër. Pjesa tjetër nuk më takon mua. Nuk mendoj se këto raportime nëpër media, apo vetë çështja e të ardhmes së Salah, mund të shpërqëndrojë atë apo edhe ekipin nga ajo se çfarë ndodh në fushën e blertë. Djemtë po i bëjnë gjërat në mënyrën e duhur dhe i vetmi shqetësim për ne, duhet të jetë kundërshtari i radhës.”
Andy Robertson, mbrojtës i Liverpool:
“Është e vërtetë që njerëzit shpesh thonë se skuadra jonë kërkon një lloj revanshi ndaj Realit në lidhje me atë që ka ndodhur më parë, por unë, personalisht, nuk jam një tip i tillë. Nuk jam nga ata që kërkon revanshin. Të gjithë tek skuadra, në çdo situate, jemi treguar profesionistë dhe ndeshje që kemi hasur. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe sot. E dimë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe të gjithë jemi të përqëndruar për të bërë detyrën tonë dhe për të marrë atë që kemi vendosur si objektiv në fushën e blertë. Fakti që luajmë përpara tifozëve tanë është padyshim një faktor me peshë, pasi me mbështetjen që marrim në këtë stadium, arrijmë të bëjmë gjithmonë më mirë e të japim akoma më shumë nga vetja. Unë di të them që jemi gati dhe mezi po e presim këtë sfidë. Me trajnerin kemi krijuar një lidhje të menjëhershme, që padyshim na ka ndihmuar për të patur këtë ecuri të mirë. Por siç trajneri tha, ka ende shumë gjëra që ne mund t’i përmirësojmë. Ne po përpiqemi t’i provojmë që kjo është ajo se çfarë duam të bëjmë.”
Jude Bellingham, mesfushor i Real Madrid:
“Kam shumë besim tek skuadra jonë dhe e di se të gjithë lojtarët mund të kenë një impakt, pa patur rëndësi nëse e nisin nga stoli apo si titullar. Kjo e sotmja do të jetë një ndeshje mjaft e luftuar, sepse bëhet fjalë për dy skuadra të shkëlqyera. Liverpool-i po udhëheq si në kampionat, edhe këtu në ‘Champions’. Këto nuk janë rezultate të rastësishme. Ata kanë një skuadër të ndërtuar mirë dhe me lojtarë që aktualisht, po përformojnë në nivelet më larta. Është vërtet një test i rëndësishëm për ne përballja me Liverpool-in, por kam besim se do të dimë të marrim më të mirën.Unë flas me trajnerin tim çdo ditë dhe kam një marrëdhënie të shkëlqyer me të. Ai është kujdesur të më ndihmojë edhe kur kam luajtur në pozicione që nuk i kam provuar më parë, me detyra të pazakonta për mua. Por unë jam gati të sakrifikoj për skuadrën dhe do të vazhdoj ta bëj këtë gjë për sa kohë që marrim rezultatet që duam. Vinicius është ndër më të mirët në botë, për të mos thënë më i miri, kurse Mbappe, shpesh kritikohet pa të drejtë. Ne jemi me fat që i kemi pjesë të skuadrës sonë.”
Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madrid:
“Kjo është një nga ato ndeshje që duhet parë si një mundësi e mirë për të rikthyer veten aty ku duam. Luajmë një ndeshje mjaft interesante, ndaj një kundërshtari që deri më tani, i kam bërë gjërat në mënyrën më të mirë. Është një kundërshtar që të detyron të japësh sa më shumë dhe unë jam plot besim se ne do të tregojmë pikërisht këtë. Ky format i ri na detyron që në situatën aktuale, të kërkojmë të grumbullojmë sa më shumë pikë në ndeshjet e mbetura. Nuk do të jetë një mision i lehtë, por jam i bindur se do të arrijmë atë që duam. Është e vërtetë që dëmtimet kanë qenë një shqetësim i vazhdueshëm për lojtarët. Kemi patur 7 dëmtime në ligamente dhe një total prej 11 dëmtimesh muskulore. Si mund të shmanget kjo? Është pak e vështirë t’i përgjigjesh kësaj. Ky nuk është vetëm një problem për Real Madrid, por për të gjithë klubet e tjera. Po të shohësh, edhe në Angli ka patur shumë dëmtime. Çdo klub i menaxhon këto gjëra në mënyrën e vet. Ne duhet të vazhdojmë përpara dhe të gjejmë zgjidhje të ndryshme. Por padyshim që këto dëmtime të ngjashme e të njëpasnjëshme, nuk janë një rastësi. Tani na pret një ndeshje shumë e komplikuar dhe ne duhet të përqëndrohemi për të dhënë më të mirën tonë aty.
I kemi të gjitha cilësitë për të marrë maksimumin dhe pavarësisht se Liverpool-i është një klub që gjithmonë përpiqem ta trajtoj me respekt. Janë një klub fantastik. me një tifozeri për t’u patur shembull, por unë gjithësesi do të mbetem një tifoz i Evertonit, kur vjen puna për këtë qytet.
Pak a shumë e kam të qartë se si do të luajmë sot në mbrëmje dhe se cilët do të zbresin në fushë. Më duhet thjesht të përcaktoj disa detaje dhe djemtë i dinë gjithësecili detyrat e tyre. Kemi arritur të korigjojmë disa gjëra nga fillimi i sezoni, por ka ende punë për të bërë, duke nisur nga kjo sfidë me Liverpool-in.”