Arne Slot, trajneri i Liverpool:
“Nuk isha aspak i surprizuar nga performanca e Parisit në ndeshjen e parë. Përpara se të luanim, pashë disa ndeshje të tyre dhe mbeta i befasuar me presingun apo intensitetin që ata bënin gjatë lojës. Skuadra funksiononte në mënyrë fantastike dhe kombinimet në mesfushë ishin të mrekullueshme. Ata janë një skuadër e kompletuar, një ekip i menaxhuar mirë. Kështu që unë mendoj se tani ne kemi mësuar mjaftueshëm nga e Mërkura mbrëma. Disa kanë thënë se ne ishim dobët në Paris, por unë nuk mendoj kështu. Thjesht, kundërshtari ynë u tregua i jashtëzakonshëm. Mendoj se nuk ishim përballur ndonjëherë këtë sezon me një skuadër që luante futboll aq të mirë dhe që kishte intensitet aq të lartë. Por, mendoj gjithashtu se ne mund të bëjmë më mirë. Nuk po them që luajtëm keq, por dua të tregojmë se jemi një ekip më i mirë nga ai që u pa një javë më parë. Këtë gjë duhet ta tregojmë sonte në shtëpinë tonë, me ndihmën e tifozëve tanë.
Mendoj se sonte, në mënyrë që të kualifikohemi në çerekfinale, duhet të bëjmë performancën më të mirë të sezonit, pasi kjo është skuadra më e mirë ndaj të cilës kemi luajtur përgjatë këtij edicioni. Sigurisht, ne kemi luajtur edhe ndaj Arsenalit dhe Manchester Cityt, por intesiteti dhe kualiteti që Parisi tregoi ndaj nesh, e për më tepër që në krye drejtohen nga një trajner shumë shumë i madh. Ai e përgatit ekipin në një mënyrë, që është shumë e vështirë të luash kundër. Luis Enrique është i aftë të marrë maksimumin nga çdo lojtar që ka në dispozicion, e po ashtu edhe metoda e tij e punës është e jashtëzakonshme. Për këtë arsye them se sonte duhet të jemi në më të mirën tonë. A është kjo ndeshja më e rëndësishme e Liverpoolit këtë sezon? Po, sepse është ndeshja e radhës dhe takimi i radhës është gjithmonë më i rëndësishëm.”
Diogo Jota, sulmuesi i Liverpool:
“Ndaj Parisit një javë më parë, kemi luajtur ndeshjen më të vështirë të sezonit. sigurisht që disa ndeshje janë të vështira, por mënyra sesi shkoi, nuk ishte në planin tonë. Megjithatë, edhe kur gjërat nuk po shkonin mirë, ne qëndruam në lojë, çka rezultoi shumë e rëndësishme për ne dhe në fund, ia dolën të tregonim karakterin tonë.
Kjo është një javë e madhe për ne. ndeshja ndaj Southampton ishte e rëndësishme, sepse është e vetmja që ne luajmë në Premier Legaue këtë muaj. Ne ia dolëm të merrnim 3 pikë dhe tani kemi dy ndeshje të tjera, në dy kompeticione të ndryshme. Fillimisht, sonte duam të kualifikohemi në çerekfinale të Champions League, dhe pastaj, në fundjavë, do të luajmë për trofeun e parë të sezonit.
Salah? I jashtëzakonshëm. Në fund të sezonit do të shohim numrat e tij të vërtetë. S’ka asnjë dyshim se ky është sezoni më i madh nga një lojtar me të cilin unë kam luajtur.”
Luis Enrique, trajneri i PSG:
“Një ditë pas humbjes, bëmë analizën e ndeshjes së parë. Pastaj patëm transfertën ndaj Rennes dhe tani kemi sërish Liverpoolin. Sonte jemi përgatitur ashtu si për çdo ndeshje tjetër. Sonte do të shohim një tjetër lojë të dy prej skuadrave më të mira në Europë, dy skuadra me filozofi të ndryshme. Për momentin, jemi jashtë kompeticionit, kështu që kemi vetëm një ambicie; të zbresim në fushë dhe të japim maksimumin për të kthyer situatën në favorin tonë. Jam i bindur se të gjithë lotjarët e mi duan të luajnë sonte. Anfield është një stadium mitik europian dhe e gjithë skuadra është e motivuar. Ne duam të tregojmë se jemi të aftë të bëjmë një ndeshje të madhe. Ky është objektivi ynë. Por në një ndeshje si kjo, është jetike t’i mbash emocionet nën kontroll. Ndeshjet në transfertë janë gjithnjë më të vështira, por ne kemi besim se mund të bëjmë mirë. E dimë gjithashtu edhe se si mund të përmirësohemi. Duam të kontrollojmë topin më shumë sesa kundërshtari dhe nga këtu, do të shohim për mundësitë që do të na paraqiten.
Sonte do të luajmë në një terren tjetër dhe për këtë arsye, rrethanat e ndeshjes do të jenë të ndryshme në krahasim me atë që një jave më parë, në të cilën tifozët tanë na shtynin sa herë ne sulmonim. Por, unë kam shumë besim tek skuadra ime. Duhet të sulmojmë bashkë, të mbrojmë bashkë, të kontrollojmë topin dhe të tregohemi të rrezikshëm. Nuk dua t’i komplikojmë gjërat. Kemi ardhur këtu për të fituar.”
Kvicha Kvaratskhelia, sulmuesi i PSG:
“Mundësitë sonte janë 50 me 50, sepse mendoj që nuk është e lehtë të dominosh ndaj Liverpool. Këtë gjë e bëmë javën e kaluar dhe treguam një futboll të mirë. Por, sonte mendoj se mundsië për të fituar janë të barabarta. Do të jetë ndeshja më e rëndësishme e sezonit, sepse është e vlefshme për Champions League. Synimi ynë është të vazhdojmë deri në fund. Ata kanë avantazhin e ndeshjes së parë, por ne kemi shumë besim në aftësitë tonë dhe kemi ardhur këtu për të bërë një ndeshje të madhe.
Luis Enrique? Ai na flet shumë për të shkuarën. Duhet të përqendrohemi në lojën tonë dhe të japim më të mirën nga vetja. Enrique është trajneri ynë dhe na krijon mundësinë për të luajtur në nivelin më të lartë të mundshëm. Do të shkarkojmë të gjitha bateritë në fushë dhe mendon se kemi një mundësi të mirë për t’u kualifikuar.
Në aspektin personal, ndihem mirë. Përshtatja ime ka ardhur shpejt, edhe si pasojë e ndihmës që kam marrë nga të gjithë. Po punoj fort dhe mendoj se mund të bëj më mirë. Jam një sulmues, luaj afër zonës kundërshtare dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Jam i gatshëm të luaj në çdo pozicion që më kërkon trajneri dhe të jap më të mirën në mbrojtje gjithashtu.”