Jurgen Klopp, trajneri i Liverpool:
“Është gjithnjë speciale të luajmë para publikut tonë. Jemi në pozita të mira dhe mendoj se jemi duke shfaqur një formë shumë të mirë në të gjitha aspektet. Por kjo përballje nuk ka mbaruar ende. Ne nuk duhet të bëjmë gabimin që të mendojmë se jemi kualifikuar. Do të luhen edhe 90 minuta të tjera. Shumë skuadra në të kaluarën e kanë kthyer rezultatin 2-0, prandaj nuk do të ishte diçka e jashtëzakonshme nëse do të ndodhte. Por ne jemi përgatitur për ta shmangur këtë. Ndeshja e parë në ‘San Siro’ ishte shumë e vështirë. Ne e dimë që Interi ka shumë kualitet dhe kjo u pa në sfidën e fundit që e fituan 5-0. Zikaltrit nuk kanë ardhur këtu për pushime. Ata vijnë me idenë e qartë se kjo është një ndeshje për t’u fituar, ashtu siç do të bëjmë dhe ne. Luajmë në ‘Champions League’ dhe gjërat sa vijnë e komplikohen. Që kur pamë se shorti na vinte përballë Interit, e kuptuam që do ta kishim shumë më të vështirë se disa skuadra të tjera. Për të qenë i sinqertë, unë nuk mbaj mend ndonjë ndeshje të lehtë në këtë kompeticion, sidomos në këtë fazën me eleminim direkt. Ne po shijojmë momentin. Çdo përballje e marrim me entuziasëm dhe për kundërshtarët kemi respekt maksimal.”
Fabinho, mesfushor i Liverpool:
“Interi është një skuadër shumë e fortë. Ata kanë lojtarë të talentuar dhe jo më kot janë kampionët në fuqi të Italisë. Edhe në ndeshjen e parë, ata e treguan se janë një ekip i organizuar si duhet. Pjesën e parë të takimit, ata e luajtën më mirë se ne. Por ne u treguam cinikë dhe i shfrytëzuam si duhet rastet tona. Ata patën disa mundësi të mira, por ne ia dolëm të mbronim portën të paprekur. Tani jemi të përqëndruar për të luajtur futbollin tonë, pa menduar për rezultatin e sfidës së parë. Të gjithë jemi të motivuar për të bërë më të mirën tonë. Duam të vazhdojmë të fitojmë, të fitojmë trofe dhe të argëtohemi me mënyrën se si luajmë. Për këtë na duhet të punojmë gjithmonë e më shumë. Nëse kërkon të qëndrosh në nivelet më të larta për një kohë të gjatë, duhet të bësh edhe sakrifica. Sa i përket pozicionit tim në fushë, do përsëris atë që them gjithnjë. Për mua ka rëndësi të jap kontributin që ka nevojë trajneri dhe skuadra. Kur luan në ndeshje të këtij niveli, çdo lojtar duhet të dijë të përshtatet në të dyja fazat dhe në të gjitha pozicionet.”
Simone Inzaghi, trajneri i Inter:
“Padyshim që është një mision shumë i vështirë për t’u realizuar. Në ndeshjen e parë luajtëm shumë mirë. Madje mund të them se bëmë një ndeshje të madhe. Ajo se çfarë na penalizoi, është vetëm rezultati. Luajmë përballë një prej skuadrave më të mira në Europë dhe jemi të motivuar për shumë arsye. Duke qenë se e nisim takimin në disavantazh, do të jetë e rëndësishme që të shënojmë një gol që në pjesën e parë. Nuk ka për të qenë e lehtë, por kemi patur disa ditë kohë për ta përgatitur me detaje këtë ndeshje, prandaj nga djemtë pres më të mirën. Vështirësia rritet kur mendon mbështëtjen e jashtëzakonshme të tifozerisë së tyre. Ne jemi mësuar me ndeshje ku ka një presion të tillë. Tani është momenti për të treguar se kemi mësuar nga gabimet tona. Këto janë sfida që vlejnë shumë për të gjithë ne. Nuk jemi nga ata që i tremben kundërshtarit apo atmosferës që mund të krijohet. E treguam edhe në takimin e parë se mund të vendosim këdo në vështirësi. Nëse do të futemi në fushën e lojës në të njëjtën mënyrë si bëmë përpara 3 javësh, atëherë mendoj se do të kemi shanset tona. Është e rëndësishme të jemi më konkretë në zonën e kundërshtarit dhe t’i shfrytëzojmë më mirë rastet që do të krijojmë. ”
Alessandro Bastoni, mbrojtës i Inter:
“Liverpuli ka një sulm vërtet të fortë. Ata janë lojtarë shumë të shpejtë dhe mjaft të zotë nga ana teknike. Por unë nuk i trembem përballjes me ta. Kam sfiduar edhe sulmues të tjerë të mëdhenj të futbollit europian dhe nëse dëshiron të luash në nivelet më të larta, duhet t’i japësh vetes pikërisht sfida të tilla. E dimë se nuk ka për të qenë e lehtë për të arritur objektivin tonë, por njëkohësisht dimë edhe se sa i madh është potenciali që kemi në skuadër. Nëse luajmë të bashkuar, atëherë besoj se mund t’i hapim më shumë telashe se sa mendoni edhe një skuadre kaq të fortë sa Liverpuli. Të luash në ‘Anfield’ është një eksperiencë e jashtëzakonshme. Është vërtet bukur të luash ndeshje të këtij niveli nën një atmosferë të zjarrtë. Besoj se të gjithë duan ta shijojnë një përballje si kjo.”