Liverpool shumë pranë titullit kampion në Angli, rekord për trajnerin Slot dhe lojtarin Salah

Sport

Liverpool afrohet shumë me titullin kampion në Premier League. Fitorja e javës së 32, ndaj Ëest Ham me rezultatin 2-1, e ka ngjitur skuadrën e Arne Slot në kuotën e 76 pikëve, plot 13 më tepër sesa Arsenali i vendit të dytë. Duke marrë parasysh që deri në fund kanë mbetur edhe 6 ndeshje të tjera për të luajtur, për The Reds, do të mjaftonin vetëm 2 fitoret e javëve të ardhshme, për t’u shpallur zyrtarisht kampion të Anglisë për të 20-tën herë në historinë e klubit, duke u barazuar kësisoj me Manchester United, për momentin, është ende klubi më i titulluar në Premier League. Megjithatë, është thjesht çështje ditësh kur dy gjigantët e ishullit të barazohen në këtë drejtim.

Ecuria fantastike e Liverpoolit të këtij sezoni, padyshim që mban emrin e trajnerit Arne Slot, i cili është bërë trajneri me më shumë fitore në historinë e klubit në 50 ndeshjet e para. Në këto 50 takime, Slot numëron 36 fitore, duke lënë pas vetes, Joe Fagan dhe Kenny Dalglish me nga 29 fitore secili.

Një element kyç i teknikut tulipan këtë sezon, sidomos në Premier League, është pa asnjë dyshim edhe Mohamed Salah. Deri më tani, egjiptiani është përfshirë në një kontribut prej 45 golash, me 27 gola dhe 18 asiste. Ky është një rekord historik për një futbollist brenda një edicioni të vetëm në Premier League, sepse askush tjetër nuk ka bërë më mirë se kaq në këtë drejtim me 38 ndeshje në dispozicion. E, duke marrë parasysh që deri në fund kanë mbetur edhe 6 javë të tjera për të luajtur, Salah, ka mundësi që këtë rekord ta thellojë akoma edhe më shumë.