Me 30 gola të shënuar e 16 asiste në 48 ndeshje të këtij sezoni, Mohamed Salah është padyshim një nga lojtarët më të mirë të vitit në Europë. Ylli i Liverpool-it ka qenë më shumë se vendimtar në rrugëtimin e ‘the reds’ gjatë 2021/22-shit, duke u shndërruar në një lider për trajnerin Jurgen Klopp.
Teksa kanë filluar përgatitjet për finalen e madhe të Parisit, për trofeun e ‘UEFA Champions League’, Salah ka bërë një përmbledhje të sezonit të tij, duke u shprehur se është i kënaqur me ato se çfarë ai dhe shokët e tij të skuadrës kanë realizuar deri më tani. 29-vjeçari u shpreh se do të donte të kishin bërë më pak gabime në kampionat, pasi tashmë gjërat për titullin në Angli nuk janë më në dorën e tyre, por një triumf i mundshëm në ‘Champions League’ ndaj Real Madrid, do të ishte një fund i shkëlqyer i sezonit.
Duke parë shifrat e Salah në këtë sezon, nuk janë të paktë ata që e shohin si një pretendent të rëndësishëm për t’u shpallur si lojtari më i mirë në Europë. Vetë egjiptiani nuk është se fshihet, duke deklaruar se për momentin, në rolin e tij, nuk është asnjë që mund të luajë më mirë dhe të ketë të njëjtat shifra. Gjithësesi, Salah nuk mendon se ai është lojtari më i mirë në botë, duke shtuar se kjo është diçka që u përket tifozëve ta vendosin.
Që nga transferimi i tij tek Liverpool-i, Salah ka qenë në mënyrë të vazhdueshme ndër lojtarët më të mirë në botë, jo vetëm në rolin e tij. Për këtë, mjafton të shohësh numrat e egjiptianit me fanellën e ‘the reds’, ku në 251 ndeshje të luajtura, llogarit 155 gola dhe 63 asiste, ndërsa është në ndëshkuar vetëm 6 herë me kartonë të verdhë. Kujtojmë që Salah u bë pjesë e Liverpool-it në verën e 2017-ës, për shifrën e 42 milionë eurove, që asokohe cilësohej si e tepruar nga ana e tifozëve.