Liverpool, Salah shpreh dëshirën për të qëndruar gjatë në klubin anglez

Sport

Liverpool ia doli të shpallej skuadra kampione e Anglisë pas 30 vitesh dhe për klubin nga Merseyside, ky sukses do të thotë vërtet shumë. Sadio Mane u bë senegalezi i parë që arrin të ngrejë lart trofeun e ‘Premier League’-s, ndërsa Mohamed Salah u bë egjiptiani i parë që siguron këtë triumf. Salah ka folur së fundmi rreth arritjeve të bëra nga ‘the reds’ në dy sezonet e fundit, duke theksuar se fakti që tifozët dhe qyteti janë kaq të lumtur, do të thotë se ekipi ka bërë një punë të shkëlqyer. Si gjithnjë, egjiptiani nuk harroi të vlerësonte trajnerin Jurgen Klopp, që sipas tij është ai që ka ndryshuar gjithë historinë e klubit dhe të lojtarëve gjatë këtyre sezoneve. Por Salah është ndalur edhe tek spekulimet e merkatos, pasi në jo pak raste, 28-vjeçari është përfolur për një transferim të tij jashtë Anglisë. Vetë anësori hodhi poshtë çdo gjë, duke deklaruar madje se dëshira e tij, është që të qëndrojë tek Liverpool-i sa më gjatë të jetë e mundur. Ai e mbylli intervistën e tij duke u shprehur se tek ‘the reds’ ka çdo gjë që kërkon dhe për momentin nuk ka asnjë arsye të mendojë për një largim nga ‘Anfield’. Mohamed Salah ka edhe 3 vite kontratë me Liverpool-in, drejtuesit e së cilës, vështirë se mund të heqin dorë nga shërbimet e egjiptianit. Ai u bë pjesë e skuadrës së Jurgen Klopp në vitin 2017, kur u transferua nga Roma për shifrën e 35 milionë paundëve. Që në sezonin e tij të parë në Merseyside, Salah ia doli të fitonte besimin e të gjithëve, pasi ia doli të realizonte plot 44 gola në të gjitha kompeticionet, edhe pse ishte vetëm viti i tij i parë në radhët e ‘the reds’.