Liverpool rikthehet në Champions me ish-finalisten e Europa-League-ës, Sevillan

Sport

Liverpool dhe Sevilla
1 vit pas finales së Baselit, Liverpool dhe Sevilla ripërballen por kësaj here për të nisur fazën në grupe të UEFA Champions League. Anglezët i rikthehen kompeticionit më madhor të kontinentit pas dy sezonesh mungesë. Në majin e vitit të kaluar, të kuqtë u mundën 3-1 nga andaluzët në finalen e Europa-League-ës. Kjo është dhe e vetmja përballje mes të dyja skuadrave. Por gjërat janë ndryshe tashmë. Jurgen Klopp thotë se skuadra e tij është bërë më e fortë edhe pse e vlerëson ecurinë që ka patur Sevilla në këto vite. 5 herë kampionët e Evropës, vijnë këtë sezon në Champions pasi u kualifikuan përmes fazës “Play-Off” duke mundur me rezultat të përgjithshëm 6-3 Hoffenheimin. Po përmes “Play-Off”-eve u kualifikua edhe Sevilla. Andaluzët e patën disi më të vështirë, por ia dolën të fitonin 4-3 ndaj turqve të Basaksehir. Në këtë sfidë, anglezët vijnë pas një humbje dërrmuese 5-0 të pësuar nga Manchester City, por statistikat flasin mirë për Liverpoolin. Në Evropë, ata kanë 6 fitore radhazi në shtëpi, përvec kësaj Klopp rigjen brazilianin Coutinho. Ky i fundit i përfshirë në mjaft debate pas mungesës së transferimit te Barcelona. Ndërkohë Sevilla nga ana e saj nuk ka fituar kurrë një transfertë angleze. Sidoqoftë nën drejtimin e Eduardo Berizzos, andaluzët kanë ndryshuar shumë dhe përballja në Anfield pritet të ketë plot spektakël. Nga ana tjetër në Grupin E nis aventurën e saj evropiane skuadra modeste e Sllovenisë, Maribori, që pret në shtëpi Spartakun e Moskës.