Liverpool vazhdon të rezistojë për Mohamed Salah. Klubi saudit, Al-Ittihad, prej kohësh kërkon që të kompletojë transferimin e egjiptianit, mirëpo ka hasur në një qëndrueshmëri të palëkundshme të gjigantit nga Merseyside.
Disa javë më parë, në dyert e 6 herë kampionëve të Europës, Al-Ittihad trokiti me 150 milionë euro, por u refuzua. Por, aziatikët nuk janë ndalur këtu. Sikurse raportojnë mediat e huaja, kampionët sauditë, janë paraqitur me një tjetër propozim për Salah dhe këtë herë, oferta ka qenë 175 milionë euro.
Kjo shumë kaq e madhe, mund të ishte tunduese për shumëkënd, por jo për Liverpoolin, që sërish ka rezistuar dhe e konsideron futbollistin të paprekshëm.
Në ambientin e The Reds janë të gjithë të një mendjeje se Salah nuk duhet të largohet, duke nisur nga trajneri Jurgen Klopp, e të gjithë të tjerët. Mirëpo përtej kësaj, tifozët e Liverpool mund të ndihen edhe më të qetë për faktin se vetë agjenti i Salah është shprehur se sulmuesi nuk do të largohet nga Anfield, sepse synimi i klientit të tij, është të performojë ende në nivele tepër të larta, e madje kjo është edhe arsyeja e kryesore e rinovimit të kontratës një vit më parë, deri në verën e 2025-tës.
Mohamed Salah ka luajtur 308 ndeshje në të gjitha kompeticionet me Liverpool, ka shënuar 187 gola, e ka dhënë 81 asiste për shokët e skuadrës. Të dhëna këto, të shoqëruara edhe me fitimin e çdo trofeu që mund të fitohet me fanellën e kuqe.