Liverpool reagon në momentin më të vështirë, fitore e rëndësishme ndaj Manchester City.

Sport

Pavarësisht nisjes së dobët të sezonit, apo pavarësisht momentit të vështirë që po kalon, nëse mobilizohet, Liverpool është në gjendje të fitojë ndaj çdo skuadre, edhe ndaj Manchester Cityt. The Reds e vërtetuan një gjë të tillë pikërisht në javën e 10-të të Premier League.

Në Anfield ata mposhtën me rezultatin 1-0 kampionët në fuqi të Anglisë. Pavarësisht se nuk konsideroheshin si favoritë, të besuarit e Jurgen Klopp i befasuan të gjithë, duke marrë një fitore me mjaft peshë. Një fitore, që mund të shërbejë edhe si një pikë kthese për gjigantët e Merseyside.

Pavarësisht rasteve që nuk munguan nga të dyja skuadrat, golin e vetëm të sfidës e realizoi Mohamed Salah në minutën e 76-të. Egjiptani, i asistuar nga Alisson Becker e kaloi topin pas krahëve të portierit Ederson.

Ndonëse është portier, Alisson po kontribuon, duke dhënë edhe asistime për shokët e skuadrës.

Sa i përket finalizimit të Salah, egjiptiani tashmë është bërë lojtari i dytë në historinë e Premier League që ka realizuar plus 100 gola në kampionat me këmbën e majtë. Përpara tij renditet Robbie Foëler me 105 finalizime.

Kjo ishte vetëm fitorja e 3-të sezonale për Liverpoolin, që klasifikohet në vendin e 8-të në kuotën e 13 pikëve. Mirëpo, skuadra e Jurgen Klopp ka mundësinë që ta përmirësojë renditjen, sepse ka një ndeshje të prapambetur për të rikuperuar. Në takimin e radhës, The Reds do luajnë sërish në shtëpi, ndaj Ëest Ham United.

Sakaq, Manchester City renditet në vendin e dytë në kuotën e 23 pikëve, 4 më pak sesa Arsenali kryesues. Në ndeshjen e radhës, të besuarit e Pep Guadriolës do të vizitohen në shtëpinë e tyre nga skuadra e Brighton.