Liverpool pëson humbjen e dytë të sezonit. The Reds janë mposhtur 1-0 në fushën e Tottenham, ndeshje e vlefshme për fazën gjysmëfinale të Kupës së Ligës në Angli. Golin e vetëm të ndeshjes së luajtur në Londër, e shënoi Bergvall në minutën e 86. Vetëm 18 vjeç e 341 ditë, Bergvall u bë golashënuesi më i r ii Spurs në Kupën e Ligës që prej vitit 2007, atëherë kur ndaj Middlesbrough, Gareth Bale shënonte dhe ishte 18 vjeç e 72 ditë.
Në këtë mënyrë, skuadra e drejtuar nga Ange Postecoglu ka hedhur hapin e parë drejt finales, ndonëse asgjë nuk ka përfunduar, sepse ndryshe nga raundet e tjera, gjysmëfinalja luhet me dy takime, vajtje-ardhje. Pra, përplasja e radhës mes Liverpool dhe Tottenham në Anfield, do të jetë në 6 Shkurt, atëherë ku do të përcaktohet se cila prej të dyjave do të shkojë në finalen e Ëembleyt. Trajneri Postecoglu ka thënë se zakonisht, trofeun e fiton gjatë vitit të dytë të drejtimit të një skuadre. Deri më tani, duhet theksuar se numri një i stolit të Spurs është brenda fjalës së tij, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të shkojë deri në fund. Sakaq, nga krahu tjetër, kjo ishte vetëm humbja e dytë e Liverpool këtë sezon në të gjitha kompeticionet, duke i dhënë kësisoj fund një ecurie të gjatë prej 34 ndeshjesh pa asnjë disfatë.