Liverpool nënshkruan me Fabinhon, dhuratë për tifozët pas zhgënjimit në finalen e Kievit

Sport

liverpools

Humbja në finalen e Champions League përballë Real Madrid solli dëshpërim dhe zhgënjim të thellë për tifozët e Liverpool, që besonin se skuadra e tyre mund t’ia dilte deri në fund. Për të rikthyer disi besimin tek tifozët e tyre, drejtuesit e “the reds” nuk kanë vonuar të bëjnë një goditje të merkatos, siç e quajnë në Angli. Nëpërmjet rrjeteve sociale, Liverpool ka zyrtarizuar firmosjen me mesfushorin 24-vjeçar, Fabinho, i cili transferohet nga skuadra e Monacos në “Anfield Road” për shifrën e 45 milionë eurove.

Braziliani ishte një ndër emrat më të kërkuar në Angli, pasi për të kishte interes të fortë edhe nga Arsenal, Chelsea e Manchester City. Fabinho vjen në Liverpool për të zënë vendin e lënë bosh nga Emre Can, që brenda javës pritët të zyrtarizohet tek Juventus. Fabinho është goditja e dytë e Liverpool për merkaton verore, ende pa u hapur zyrtarisht, pasi në Angli presin edhe kalimin zyrtar të Naby Keitas nga Leipzig, me të cilin drejtuesit e Liverpool patën nënshkruar që para janarit.
Jurgen Klopp e komenton këtë afrim të Fabinhos si një ndër blerjet më cilësore që skuadrat mund të bënin në merkato. Trajneri gjerman e lavdëron 24-vjeçarin për personalitetin që ka në fushë dhe mundësinë e aktivizimit në pozicione të ndryshme.