Liverpool shënjestron për të transferuar në Anfield një prej talenteve më premtues të momentit. Fjala është për Gavin, mesfushorin e Barcelonës, i cili në vetëm gjysmë sezoni të zhvilluar deri më tani me katalanasit, ka bërë që prozhektorët të fokusohen në drejtim të tij.
Vetëm 17 vjeç, Gavi ka luajtur një rol të rëndësishëm me blaugranat këtë edicion, teksa është aktivizuar 27 ndeshje në të gjitha kompeticionet me blaugranat, duke shënuar 2 gola dhe po ashtu ka një kontribut me 3 asist për shokët e skuadrës.
Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, për ta transferuar lojtarin në Anfield, Liverpool po mendon të paguajë klauzolën e futbollistit që shkon deri në 50 mln euro. Po ashtu, The Reds janë të gatshëm t’i ofrojnë futbollistit një pagë deri në 5 mln euro në sezon, thuajse dyfishin e asaj që Gavi përfiton aktualisht.
Padyshim që diçka e tillë nuk është aspak një lajm i mirë për Barcelonën, të cilët duan ta kenë Gavin pjesë e projektit të tyre. Kontrata aktuale e mesfushorit skadon në verën e vitit 2023, e për këtë arsye klubi spanjoll po përpiqet të bëjë maksimumin që të rinovojë me djaloshin, duke e blinduar në këtë mënyrë në Camp Nou, por njëkohësisht një gjë e tillë do të ndryshonte ndjeshëm edhe termat financiarë.
Mirëpo problemi kryesor i Barcelonës për momentin është aspekti i dobët ekonomik, që mund ta detyrojë klubin të kryejë disa lëvizje të kushtëzuara dhe një ndër to mund të jetë largimi i Gavit, shitja e të cilit mund të siguronte të ardhura në arkat e katalanasve. Patjater që kjo është një çështje që ka vënë në lëvizje të gjithë kampin e gjigantëve të La Ligas, e për këtë arsye, të tjera zhvillime pritet të ndodhin brenda një kohe të shkurtër.