Lajme të këqija për Jurgen Klopp dhe Liverpoolin. Lëndimi i James Milner është më serioz se sa u duk pas sfidës me Manchester City-in. 32-vjecari i cili është zëvendëskapiten i skuadrës ka pësuar një lëndim muskulor të shkallës së tretë dhe do të qëndrojë jashtë fushe për së paku një muaj. Milner, në barazimin pa gola ndaj City-it u nxorr nga fusha në minutën e 29-të. I cilësuar si një lojtar robust dhe tejet fizik, mesfushori i të kuqve regjistron lëndimin më të gjatë që kur kaloi te Liverpooli. Në këto tre vite ai nuk ka munguar kurrë më shumë se 18 ditë. Në fakt gjatë kësaj periudhe ai është lënduar vetëm 3 herë.
Ky i kësaj radhe vë disi në pozitë Jurgen Kloppin pasi Milner është një lojtar polivalent i cili luan në të gjitha rolet e mundshme, përvecse qendërmbrojtës. Në kalendar ai humb përballje të rëndësishme në kampionat, por sidomos në Champions League. Më 24 tetor ai s’do të jetë në sfidën kundër Crvenza Zvezdas, ndërsa për rikthimin, stafi mjekësor do të bëjë të pamundurën që ai të jetë me grupin për ndeshjen e 3 nëntorit kundër Arsenalit. Milner është një nga lojtarët që ka luajtur më shumë këtë sezon. Me mungesën e tij, Fabinho dhe Naby Keita duhet të bëjnë dyfishin e përpjekjeve që në Anfield kjo periudhë pa Milnerin të mos ndjehet.