Liverpool në finale të Champions League, sezon historik për skuadrën e Jurgen Klopp

Sport

Liverpool është skuadra e parë finaliste e Champions League për sezonin 2021/2022. Për të siguruar biletën drejt Parisit, The Reds vuajtën jo pak ndaj Villarrealit në tokën spanjolle, ndonëse në fund fituan 3-2. Pas suksesit 2-0 në aktin e parë në Anfield, anglezët e panë veten në vështirësi të jashtëzakonshme në Estadio De La Ceramica, të paktën në gjysmën e parë të lojës.

Nëndetësja e Verdhë kaloi në avantazh që në minutën e 3-të me anë të Boulaye Dia. Mirëpo vendasit nuk e ndalën hovin me kaq dhe në minutat vijuese, po dominonin ndaj The Reds në çdo sector të fushës. Në minutën e 41, Francis Coquelin gjuajti saktë me kokë, për ta dërguar topin në trekëndëshin e portës, e për të mos i dhënë asnjë mundësi portierit Alison. 2-0 dhe Liverpool dukej në tokë.

Mirëpo në pjesën e dytë, The Reds u rikthyen me të tjera ide në fushë, aty ku Klopp vendosi të kryente një zëvendësim, duke nxjerrë nga loja portugezin Diogo Jota dhe në vend të tij aktivizoi Luis Diaz. Ishte pikërisht kolumbiani që ndryshoi lojën e skuadrës nga Merseyside, teksa me topin në këmbë, i dha më tepër frymëmarrje ekipit.

Në të 62-tën, Fabinho ngushtoi diferencën, teksa vetëm 5 minuta më vonë, Diaz riktheu barazpeshën. Në të 74-tën, Sadio Mane realizoi edhe të 3-tin për Liverpool, çka ishte dhe goli i përmbysjes së rezultatit. Duhet thënë se në të 3 golat e realizuar nga miqtë, portieri i Villarrealit tregoi shumë pasiguri, duke penalizuar në njëfarë mënyrë ekipin e drejtuar nga Unai Emery, që i jep fund këtu një rrugëtimi historic dhe të jashtëzakonshëm në Champions League.

Në krahun tjetër, Liverpool vazhdon ëndrrën drejt Parisit, aty ku do kërkojë kurorën e 7-të europiane. Kjo është finalja e 10-të në histori për The Reds, duke u bërë në këtë mënyrë skuadra e 4 që arrin të paktën në kaq shumë finale, pas Real Madrid me 16, Milan me 11 dhe Bayern Munich po me 11.

Më tej, kjo është finalja e 4 në Champions League në karrierë për trajnerin Jurgen Klopp, po aq sa Marcelo Lippi, Sir Alex Ferguson dhe Carlo Ançelotti. Po ashtu, Liverpool bëhet klubi i parë anglez ndonjëherë që brenda një sezoni të vetëm ka siguruar një biletë në finalen e Champions League, FA Cup dhe League Cup.

Këtë edicion, The Reds po përjetojnë një rrugëtim për t’u mbajtur mend. Në 57 ndeshje të luajtura në të gjitha garat deri më tani, të kuqtë kanë shënuar një total prej 139 golash, si asnjëherë më parë në historinë e tyre.