Liverpool me një këmbë në finale, fitore me rekord për Jurgen Klopp

Sport

Liverpool vetëm një hap larg nga finalja e UEFA Champions League. Në aktin e parë gjysmëfinal, The Reds fituan 2-0 ndaj Villarrealit në shtëpi. Vizitorët nga Spanja, rezistuan vetëm 45 minuta në Anfield. Më pas, me fillimin e pjesës së dytë, The Reds e rritën akoma më tepër ritmin e lojës, aqsa në minutën e 53, Estupinan devijoi krosimin e ardhur nga këmbët e Jordan Henderson dhe realizoi autogol në portën e tij.

Ky moment shërbeu si një zhbllokim psikologjik për Liverpool dhe në anën tjetër, tensionoi situatën në radhët e Nëndetëses së Verdhë. Në të 55-tën, Sadio Mane, i asistuar nga Mohamed Salah shënoi edhe golin e dytë të sfidës. Ky ishte goli I 14-të i Mane në fazën me eliminim të kompeticionit, duhe barazuar në këtë mënyrë Didier Drogba, si dy futbollistët afrikanë që kanë realizuar më tepër në raundet me knock out të Champions League.

Salah dhe Mane së bashku, tregojnë edhe një herë tjetër kiminë që kanë mes tyre në fushën e lojës. Egjiptiani dhe senegalezi, kanë kombinuar 17 gola në Uefa Champions League, po aq sa Rooney dhe Gigs, apo Salah dhe Firmino.

Më tej, ky sukses, ishte një arritje më vete edhe për trajnerin Jurgen Klopp. Takticieni gjerman i ka fituar të 4-ta ndeshjet gjysmëfinale me Liverpoolin që ka luajtur në shtëpi. Përveç tij, rekordin 100% të fitoreve në këtë fazë të kompeticionit, e mbajnë vetëm Marçello Lippi dhe Ottmar Hitzfeld.

Në krahun tjetër, me vetëm një gjuajtje drejt portës, që nga sezoni 2003/04, Villarreali bëhet skuadra e parë gjysmëfinaliste e Champions League, që regjistron numrin më të ulët të tentativave. Të martën e ardhshme, në Estadio De La Ceramia, do zhvillohet akti i dytë i kësaj gjysmëfinaleje, aty ku do përcaktohet finalisti i parë i këtij edicioni të Champions League.