Liverpool kualifikohet në gjysmëfinale të UEFA Champions League dhe përballë do ketë një skuadër që tashmë nuk mund të konsiderohet më surprizë, Villarrealin. Në çerekfinale, The Reds mposhtën Benfican, me rezultatin e përgjithshëm 6-4.
Pas fitores 3-1 në Lisbonë në javën e shkuar, të mërkurën mbrëma, në Anfield, 90 minutëshi I radhës u mbyll në ekuilibër total, me shifrat 3-3.
Ibrahima Konate dhe 2 golëshi I Roberto Firminos ishin autorët e golave për të kuqtë. Në krahun tjetër, Goncalo Ramos, Roman Yaremçuk dhe Darëin Nunez ishin finalizuesit e Benficas. Për shqiponjat portugeze, rrugëtimi europian mbyllet këtu. Megjithatë, mbërritja deri në çerekfinale të Champions League, mund të konsiderohet sukses për klubin nga Lisbona, pasi kjo ishte një fazë, të cilën nuk e kishin arritur asnjëherë në 6 edicionet e fundit.
Ndërkohë, Liverpooli vazhdon rrugëtimin, duke qenë edhe një herë tjetër në bashkësinë e 4 skuadrave më të mira europiane. 6 herë kampionët e Europës drejtohen nga një trajner me mjaft eksperiencë si Jurgen Klopp. Kjo është gjysmëfinalja e 4 në karrierë për 54 vjeçarin. Së bashku me Jupp heynckes dhe Ottmar Hitzfeld, këta janë të vetmit trajnerë gjermanë në histori që kanë shkuar kaq shumë herë në këtë fazë të kompeticonit.
Në 3 gjysmëfinalet e mëparshme, Klopp ka arritur të kualifikohet në finale në të 3-ja rastet, duke triumfuar në vitin 2019-të në Madrid. Akti i parë gjysmëfinal ndaj Villarrealit, do zhvillohet të mërkurën e 27 prillit në tokën angleze, në Anfield.
Nazif Zylali
Tring Sport