Liverpool kërkon shërbimet e Rafael Leaos. Sulmuesi portugez është në 15 muajt e fundit të kontratës së tij me Milanin dhe e ardhmja e tij tashmë ka nisur të duket gjithmonë e më larg Milanit, ndonëse një rinovim mbetet ende bisedë diskutimi. Sikurse raportojnë mediat në ishull, klubi i radhës që i është bashkuar garës për të siguruar djaloshin e talentuar të kuqezinjve është pikërisht Liverpool.
Madje, 19 herë kampionët e Anglisë kanë gati edhe formulën e transferimit të 23 vjeçarit në “Anfield”. Në mënyrë që Leao të zbarkojë në anën e kuqe të Merseyside, Liverpool parashikon të përfshijë në operacion edhe një lojtar nga skuadra aktuale. Bëhet fjalë për Luis Diaz, me kolumbianin i cili është bërë pjesë e organikës së Jurgen Klopp në merkaton e Janarit të shkuar.
Vlera aktuale e Leaos në tregun e merkatos, sipas Transfermarkt, shkon deri në 85 mln euro, e në fakt duket shumë e vështirë që këtë verë, Milani të pranojë oferta më të ulëta sesa ky çmim për ta lënë të lirë lojtarin. Pikërisht për këtë arsye, Liverpool kërkon që pjesë e operacionit të bëhet edhe Luis Diaz, sepse në këtë mënyrë do të ulte ndjeshëm koston e transferimit të Leaos.
Gjithësesi, kjo është një çështje, mbi të cilën, pritet të ketë mjaft zhvillime në të ardhmen e afërt. Për lojtarin në fjalë, një interes të vazhdueshëm ka treguar edhe Chelsea, me Blutë e Londrës që përgjatë kohëve të fundit kanë vërtetuar se nuk e kanë aspak problem të shpenzojnë shuma të majme për të siguruar shëbrimet e një lojtari. Aq më tepër për Rafael Leaon, i cili u shpall edhe futbollisti më i mirë i Serie A për edicionin e kaluar dhe pati një ndikim të madh në triumfin e Milanit drejt titullit kampion.