Liverpool ka zgjatur duart drejt titullit të Premier League. Në javën e 26 të Premier League, The Reds fituan 2-0 në fushën e Manchester Cityt, falë golave të Mohamed Salah dhe Dominic Szoboszlai në pjesën e parë.
Kjo ishte e diela e 11-të radhazi që Salah arrin të shënojë të paktën një gol kampionat, diçka që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në historinë e Premier League.
Po ashtu, Salah, ka 9 gola dhe 6 asists ndaj trajnerit Pep Guardiola, duke u bërë lojtari që e ka ndëshkuar më tepër trajnerin spanjoll në karrierën e tij.
Nuk mbaron me kaq për egjiptianin. Salah, është bërë lojtari i vetëm në historinë e Premier League, i cili është përfshirë në dy sezone të ndryshme, në plus 40 gola, duke përfshirë këtu edhe asistet.
Madje, duke marrë parasysh që deri në fund të kampionatit kanë mbetur më shumë se 10 javë për t’u luajtur, mëngjarashi mund të bëhet lojtari me sezonin më të mirë në Premier League në aspektin e golave dhe asisteve të dhëna se bashku.
Për momentin, rekordi mbahet nga Alan Shearer me 47 gola plus asiste.
Për t’u kthyer tek Liverpool, skuadra nga Merseyside ka mundur të fitojë një ndeshje me më pak qarkullim të topit që nga sezoni 2003/04, vetëm 34%.
Si pasojë, ekipi i drejtuar nga Arne Slott, tani ka shkuar në kuotën e 64 pikëve, 11 më tepër sesa Arsenali i vendit të dytë. Diferenca mund të shkojë edhe në 8 pikë, për shkak se The Reds kanë luajtur një ndeshje më shumë. Sidoqoftë, distanca mbetet mjaftueshëm e largët, aqsa duket e vështirë që një tjetër ekip të rivalizojë deri në fund për titullin kampion.