Liverpooli i Jurgen Klopp nuk shkoi dot më shumë se sa një barazim pa gola në derbin me Evertonin duke i lëshuar kështu vendin e parë Manchester City-it. Në ndeshjen e javës së 29-të, të kuqtë vinin pas një fitore 5-0 ndaj Watfordit. Ky rezultat ishte i vetmi me gola në tre sfidat e fundit. Në Goodison Park u shfaq e njëjta vështirësi për të shënuar sikurse me Bayernin, apo dhe Manchester United-in. Nga 10 raste vetëm 3 rezultuan me goditje në kuadrat për Liverpoolin, që lëshon kështu sinjale negative për ëndrrën e kahershme të shpalljes kampion në Angli. Sidoqoftë për trajnerin Jurgen Klopp ky barazim pa gola me Evertonin nuk duhet të përhapë panik. Ai është shfaqur i qetë në konferencën për shtyp duke përcuar besimin se Liverpooli mund t’ia dalë ta rimarrë kryesimin.
Ndërkohë nga fundjava ra në sy fitorja e radhës e Chelsea-it të Maurizio Sarrit. Italiani fitoi 2-1 transfertën me Fulhamin falë dyshes ish-të Napolit Higuain-Jorginho. Interesante ishte se në këtë takim u rikthye nga minuta e parë Kepa Arrizabalaga. Sarri duket ta ketë përtypur skenën e finales së Kupës së Ligës, ku basku nuk pranoi të zëvendësohej. Falë kësaj fitoreje Chelsea mbetet në lojë për një vend në Champions League, pasi vendi i tretë dhe i katërt që mbahet nga Tottenham dhe United është larg vetëm 5 dhe 2 pikë. Por fundjava kishte gjithashtu momente të vështira, sidomos për Leicesterin dhe Brendan Rodgersin. E para e verioirlandezit në krye të dhelprave rezultoi me humbje. Watfordi i mundi ata 2-1 falë golave të Deeney dhe Gray.