Liverpool fiton ndaj Real Madrid

Sport

Liverpool fiton ndaj Real Madrid. Në javën e pestë të UEFA Champions League, dy gjigantët e kontinentit u përplasën mes tyre në stadiumin mitik, Anfield, ku triumfues dolën pikërisht të zotët e shtëpisë, me rezultatin 2-0. Kjo ishte fitorja e pestë radhazi për ekipin nga Merseyside këtë edicion, duke kryesuar kësisij, i vetëm tabelën e renditjes me pikë të plota, 15.

Në këtë mënyrë, Liverpool është bërë skuadra e pestë në historinë e UEFA Champions League, që arrin të fitojë secilën prej 5 ndeshjeve të para dhe pëson vetëm një gol. Diçka të ngjashme më herët, e kanë bërë, Milan, Juventus, Atl.Madrid dhe PSG.

Përgjatë dekadës së fundit, Liverpool dhe Real Madrid ishin ndeshur 8 herë mes tyre, përfshirë këtu edhe dy finale të Champions League. Reali kishte dominuar me 7 fitore dhe një barazim, përfshirë këtu edhe sukseset e dyfishta në finalet e Championsit. Me fjalë të tjera, kjo ishte fitorja e parë e Liverpool ndaj Realit, që nga viti 2009, atëherë kur fitonin po në Anfield, me rezultat të thellë, 4-0.

Ky sukses ndaj Los Blancos, konfirmon më së miri formën e përkryer që po përjeton këtë edicion skuadra e The Reds nën drejtimin e trajnerit Arne Slot. Liverpooli i tij, po tregohet dominues gjithandej. Përveçse kryeson në Champinos League, 19 herë kampionët e Anglisë kresojnë me dieferncë edhe në Premier League.

Teksa për Liverpool mund të thuren vetëm lëvdata, nuk mund të thuhet dot e njëjta gjë për Real Madrid. Los Blancos, duken në rënie të lirë, sidomos në Champinos League. Reali është skuadra e parë në historinë e kompeticionit, që si kampione në fuqi, pasi ka fituar titullin, të humbasë 4 ndeshje në atë që tradicionalisht është quajtur faza e grupeve, ndërsa tani quhet Faza e Ligës.

Los Blancos kanë vetëm 6 pikë në 5 ndeshje dhe si pasojë, pozicionohen në vendin e 24 të tabelës së renditjes, që është edhe vend ii fundit që të dërgon në raundin me eliminim të Champions League. Me tre ndeshje të mbetura deri në mbyllje të kësaj faze, Realit nuk i tolerohet më asnjë pikë e hedhur poshtë, pasi në të kundërt, do të rrezikonte që të mbetej jashtë kompeticionit.