Liverpool fiton mes vështirësive, skuadra e Klopp shpreson tek mrekullia

Sport

Ndonëse mes vështirësive, Liverpool ia del të rikthehet tek fitorja në Premier League. Pas barazimit me Tottenham në shtëpi, The Reds nuk gabuan në transfertën e Aston Villa, aty ku triumfuan me rezultatin e ngushtë 2-1.

Në fakt, ishin vendasit ata që kaluan të parët në avantazh që në minutën e 3-të me anë të Douglas Luiz. Një gol mjaft i hidhur, që u vërejt edhe në mimikën e Jurgen Klopp.

Megjithatë, skuadra e drejtuar nga trajneri gjerman arriti të përgjigjej mjaft shpejt, teksa vetëm 3 minuta më vonë riktheu gjithçka në ekuilibër me anë të Joel Matip. Që The Reds të merrnin epërsinë, duhet të vinte minuta e 65, atëherë kur Sadio Mane të shfrytëzonte në mënyrë të përkryer pasimin e ardhur nga këmbët e Luis Diaz. Senegalezi gjuajti saktë me kokë dhe topi përfundoi në fundin e rrjetës.

Liverpool bëhet vetëm skuadra e dytë në historinë e Premier League që ka në skuadër të paktën 3 lojtarë, të cilët kanë realizuar plus 15 gola brenda një edicioni të vetëm. Ata janë Sadio Mane, Mohamed Salah dhe Diogo Jota. Jo vetëm kaq. Të kuqtë e Merseyside kanë shënuar 43 gola jashtë shtëpie këtë edicion në Premier League. Vetëm në 2013/14-tën kanë bërë më mirë, atëherë kur realizuan 48.

Me këtë fitore, Liverpool ngjitet në kuotën e 86 pikëve dhe me dy ndeshje nga fundi, të besuarit e Klopp shpresojnë që mrekullia të ndodhë, duke uruar që Manchester City të gabojë dhe titulli të rikthehet në Anfield.