Liverpool dhe City në garë për një mesfushor

Sport

Në sezonet e fundit në Angli, Liverpool dhe Manchester City kanë rivalizuar mes tyre në fushën e lojës për trofetë më të rëndësishëm të vendit, mirëpo këtë herë, klubet në fjalë, kanë nisur një betejë edhe jashtë tapetit të blertë.

Këtu fjala është për merkaton dhe më konkretisht për Alexis Mac Allister, largimi i të cilit nga Brighton duket i sigurt, diçka që e ka konfirmuar edhe trajneri Roberto De Zerbi. Prej kohësh, kampioni i botës me Argjentinën është nën radarët e Liverpool, me mesfushën e The Reds që këtë verë pritet të pësojë një revolucion. Kësisoj, Klopp, e konsideron lojtarin e Brighton një përforcim ideal për ta bërë atë pjesë të boshtit të skuadrës.

Mirëpo, në këtë mes është përfshirë edhe Manchester Cityn dhe ky nuk është një lajm aspak i mirë për gjigantët ngë Mersyside. Ilkay Gundogan është drejt largimit nga kampionët e Premier League, me mesfushorin që është në ditët e fundit të kontratës dhe me shumë mundësi do të ndajë rrugët me qytetarët, duke provuar një tjetër aventurë në karrierë.

Në kushte si këto, Pep Guardiola shikon tek Mac Allister pikërisht lojtarin e duhur për të zëvendësuar turko-gjermanin. Duke u bazuar në raportimet e mediave në ishull, drejtuesit Cityt kanë nisur sulmin për të siguruar shërbimet e Mac argjentinasit dhe për këtë janë të gatshëm të ofrojë një shumë të madhe. Besohet se Liverpooli kishte gati rreth 70 mln euro për Mac Allister, ndërsa oferta e Cityt pritet ta kalojë këtë shifër, vetëm e vetëm që 24 vjeçari të zbarkojë në Etihad. Sa herë që Liverpool dhe City janë përballur në fushë, spektakli ka qenë i garantuar, por të shohim këtë herë, në duelin jashtë tapetit të blertë, se cili prej tyre do të triumfojë.