Liverpool dhe Barcelona nuk fitojnë, por renditja nuk ndryshon

Sport

Liverpooli dhe Barcelona, nuk e ruajtën dot marshin e tyre të fitoreve edhe në javën e fundit të Fazës së Ligës, pavarësisht se kualifikimin në raundin e 1/8-ave e kishin siguruar që në javën e shtatë. The Reds, u mundën 3-2 në transfertën e PSV, në një ndeshje në të të cilën, trajneri i anglezëve, Arne Slot, vendosi të bënte shumë ndryshime, duke zbritur në fushë, thuajse formacionin e dytë. kjo ishte humbja e parë sezonale e Liverpool në Champions League, teksa në 7 ndeshjet e mëparshme, kishte mundur të fitonte secilën prej tyre. Madje, këtë gjë, 19 herë kampionët e Anglisë, e kishin bërë duke pësuar vetëm dy gola, ndonëse ishin përballur me ekipe të forta, si Leverkusen, apo edhe Real Madrid. Më tej, ritmin e fitoreve, nuk e mbajti dot as Barcelona, që të Martën mbrëma, barazoi 2-2 me Atalantën në shtëpi. Për ekipin katalanas, një sfidë e tillë, vlente thjesht për statistikë, ndërsa më të rëndësishme, situatën e kishte Atalanta, që kërkonte patjetër të fitonte, sepse në këtë mënyrë, do të klasifikohej në tetëshen e parë. Me pikën e marrë në tokën spanjolle, bergamaskët, u renditën në vendin e 9, duke shkuar kësisoj në zonën play-off.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, Liverpool e mbylli Fazën e Ligës në vendin e parë, ndjekur nga Barcelona. Të dyja skudrat në fjalë, do të presin me qetësi për të mësuar kundërshtarin në raundin e 1/8-ave. Ndryshe është situata e PSV, që në Play-off do të sfidohet me Juventusin ose Feyenoordin. Pak më e lehtë duket rruga e Atalantës, që në short, pret Club Brugge, ose Sporting Lisbone.