Liverpool dhe Barcelona janë dy skuadrat e para të kualifikuara në raundin e 1/8-ave të UEFA Champinos League. Në Anfield, The Reds, fituan me rezultatin 2-1 ndaj Lille, me golat e shënuar nga Mohamed Salah dhe Harvey Eliott. Ndërsa për miqtë, golin që e barazoi lojën vetëm për 5 minuta, e realizoi Jonathan David.
Për The Reds ky ishte suksesi i shtatë radhazi këtë sezon në Champions League, e kjo i shkon për meritë të plotë, numrit një të stolit të Liverpool, Arne Slott, i cili është bërë vetëm trajneri i dytë në historinë e UEFA Champions League, i cili arrin të fitojë secilën prej 7 ndeshjeve të tij të para në një klub në këtë kompeticion. Diçka të ngjashme përpara tij e ka bërë Hansi Flick me Bayern Munich.
Në këtë mënyrë, pas 7 fitoreve të njëpasnjëshme, Liverpool kryeson renditjen me pikë të plota, 21, kurse në ndeshjen e fundit të fazës së Ligës, do të luajë në fushën e PSV. Ndjekësja më e afërt e anglezëve është Barcelona.
Katalanasit kanë gabuar vetëm në javën e parë, teksa u mposhtën nga Monaco në transfertë. Pas asaj nate, spanjollët kanë korrur 6 suksese të njëpasnjëshme. Skuadra e Hansi Flick e arriti kualifikimin në 1/8-tat, pas fitores së jashtëzakonshme të Martën mbrëma ndaj Benficas në transfertë, me rezultatin 5-4. Për herë të parë në historinë e klubit, Barcelona ka arritur të fitojë një ndeshje, në të cilën më herët, gjendej në disavantazhin e dy golave. Po ashtu, Barcelona është bërë skuadra e dytë në historinë e Champions League, që del me fitore nga një sfidë, nga e cila kishte pësuar 4 gola. Katalanasit kanë 18 pikë në tabelën e renditjes, ndërsa në javën e fundit të Fazës së Ligës, do të luajnë ndaj Atalantës në shtëpi.