Përfaqësueset pjesëmarrëse në “Rusi 2018” kanë filluar të zbardhin listat prej 23 lojtarëve, me të cilën do të përballojnë Botërorin që nis më 14 qershor e vazhdon deri më 15 korrik. Lajm përbëjnë sidomos skartimet e papritura të futbollistëve, sidomos në Kombëtaret që kanë pretendime. Kështu, tekniku i Gjermanisë kampione bote në fuqi, Joachim Lëv, ka dekretuar 4 përjashtimet e detyruara. Më shumë ka tërhequr vëmendjen lënia jashtë e Leroy Sane’, i shpallur kampion në Angli. Anësori i Manceshter City duket se nuk ka bindur teknikun kampion të botës, përtej statistikave që ka fiksuar në sezonin e tij të parë në Premier League, me 32 ndeshje, 10 gola dhe 15 asiste. Rregullisht në listë është Manuel Neuer, portieri i Bajernit që u rikthye në fushë gjatë miqësores kundër Austrisë, pas gati 8 muajve mungesë. Si rrjedhojë, Bernd Leno i Leverkusenit është detyruar të kthehet në shtëpi, përderisa ka humbur balotazhin edhe me Kevin Trapp të Paris SG.
Ndërkohë, edhe Belgjika ka zyrtarizuar 23-shen e Botërorit, ku veç zgjedhjes fillestare të mosgrumbullimit të Raja Naingolan, tashmë përjashtimeve u shtohen edhe sulmuesi Kristian Benteke i Crystal Palace, apo edhe Jordan Lukaku i Lacios. Në pritje për të mësuar në këto 10 ditë nëse Kompany do të rikuperohet në kohë nga dëmtimi. Ndërsa habit disi prania në listë e Adnan Januzajt, që vjen nga një sezon jo fort konsistent me Real Sociedadin në Spanjë. Por trajneri Martinez e ka shpjeguar thirrjen e tij duke thënë se është talent i madh dhe Belgjika pret shumë prej tij. Sa i takon përfaqësueseve të tjera, më parë, shumë bujë kanë bërë edhe lënia jashtë e Rabiot nga Franca, apo edhe mosgrumbulllimi i Morata dhe Pedro Rodrigez nga Spanja.