Lionel Messi sërish në librat e historisë

Sport

Lionel Messi sërish në librat historisë. Ndonëse ka më tepër se një dekadë që vetëm thyen rekorde, mesa duket, ato do përfundojnë vetëm kur Messi të tërhiqet nga futbolli. Java e 25 e kampionatit francez ka rezultuar historike për Lionel Messin. PSG mposhti në klasike, skuadrën e Marseille, në shtëpinë e kësaj të fundit me rezultatin 3-0.

Përveç një dopiete nga Kylian Mbappe, golin tjetër të sfidës e shënoi pikërisht Messi, I cili tashmë ka shkuar në kuotën e 700 golave të realizuar, vetëm sa I përket karrierës së klubeve, shifër kjo që nga lojtarët aktivë është prekur vetëm nga rivali I tij I përjetshëm, Cristiano Ronaldo.

Një arritje të tillë, Messi e ka bërë me dy klube të vetme. 672 I ka realizuar me Barcelonën, ndërsa 28 me PSG, skuadër me të cilën është duke kaluar sezonin e tij të dytë.

Kampionit të Botës I kanë mbetur vetëm disa muaj nga kontrata e vlefshme me PSG dhe e ardhmja e tij vijon të mbetet mister. Nisur nga raportimet e mediave ndërkombëtare, aq sa mundësia është e hapur që Messi të rinovojë, aq është e mundur që të largohet nga “Parc des Princes”. Një rikthim I tij në Barcelona konsiderohet po ashtu një mundësi, por duke qenë se tashmë ndodhet në përfundim të karrierës, nuk përjashtohet as një largim I tij nga Europa, ashtu sikurse ndodhi me rivalin e tij, Cristiano Ronaldon.